Dy javë para mbajtjes së takimit të Këshillit Ministror të 30-të të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që do të mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, mbetet e paqartë nëse kryediplomati rus, Sergei Lavrov, do të marrë pjesë në takim.
Mbledhja e 30 nëntorit dhe 1 dhjetorit do të mbahet në Shkup, pasi Maqedonia e Veriut aktualisht kryeson me OSBE-në, shkruan REL.
Pjesëmarrja në këtë takim e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, është e sigurt, sipas deklaratës së ambasadorit amerikan në OSBE, Michael Carpenter.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si organizator, tha më 15 nëntor se deri më tani nuk ka të dhëna se sekretari amerikan i Shtetit nuk do të vijë, andaj vendi po përgatitet për prezencën e tij.
Ndërkohë, sipas Osmanit, nuk përbën problem as pjesëmarrja e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Por, hapësira ajrore është e mbyllur për avionët shtetërorë rusë, pas vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e rajonit, në përjashtim me Serbinë, që vendosën kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
Që Lavrov të arrijë në Shkup nevojitet hapja e hapësirës ajrore nga Maqedonia e Veriut dhe nga një vend tjetër, Greqia ose Bullgaria.