“Mba është kthyer në formë”, Shehi: Partizani po lirohet, shkojmë në gjysmëfinale

by admin
Spread the love

Partizani mundi të kthehet shpejt te fitorja pas humbjes ndaj Skënderbeut. Të kuqtë arritën një triumf me tre gola ndaj Kukësit për kampionat, duke mbajtur ritmin e Vllaznisë dhe iu afruar Egnatias.

Misioni i radhës është çerekfinalja e dytë ndaj kuksianëve, ku do të kërkohet të mbrohet ose të thellohet avantazhi minimal i ndeshjes së parë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Shehi shprehet i kënaqur me atë që skuadra bëri të premten ndaj Kukësit, teksa kërkon me çdo kusht gjysmëfinalet.

Orges, sa çliruese ishte kjo fitore për skuadrën?

Çdo fitore është e rëndësishme, ndaj çdo kundërshtari vlen tri pikë, pavarësisht renditjes ku ndodhet. Vinim pas një jave të ngarkuar. Fituam derbin, bëmë të njëjtën gjë në Kupë ndaj Kukësit dhe humbëm me një penallti në Korçë. Kërkonim të riktheheshim te fitorja. Më vjen mirë që e bëmë në këtë ndeshje, sepse skuadra çlirohet nga ana psikologjike. Është normale që në futboll ka momente të mira dhe të këqija, lum kush ka një dozë mesatare, jo me luhatje të mëdha, që të rikthehet shpejt te fitorja.

Kthehet Cara dhe bën thuajse gjithçka, dy gola dhe një asist. Duket sikur gradualisht ai po bëhet lojtari që ju dëshironi?

Unë ia kam thënë edhe Tedit se është një lojtar me mjaft vlera. Është një lojtar tek i cili ne kemi besim shumë, duhet të besojë dhe ai. Duhet të vazhdojë këtë rrugë. Vjen pas ndeshjeve të mira në derbi dhe në çerekfinale të Kupës, për fat të keq na mungoi në Korçë. Më vjen mirë që ai shënon, por edhe për Mba, që kthehet në gjendjen e tij të mirë, sepse na ndihmon nga ana fizike. Gjithashtu më vjen mirë për Mehmetin, që shënoi sot. Kur lojtarët përgjigjen si duhet, natyrisht që je i kënaqur.

Tashmë ndesheni në Kupë po me Kukësin. Sa ndryshe e prisni këtë ndeshje?

Po, të martën ndeshemi në Kupë. Kërkojmë kalimin në gjysmëfinale, kemi fituar minimalisht ndeshjen e parë. Është një përballje, që kërkon vlerësim. Në futboll nëse nuk vlerëson kundërshtarin, krijohen vështirësi dhe bëhet e dëmshme. Të punojmë për arritjen në gjysmëfinale dhe më pas mendojmë për sfidat e tjera.

You may also like