Masakra e Rezallës: Ja çfarë mblodhi Hamdi Aliu në librin e tij (VIDEO)

by admin
Spread the love

Sot bëhen 24 vjet nga masakra që ka ndodhur në Rezallë të Skenderajt, e cila konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lidhur me këtë ngjarje të tmerrshme, Hamdi Aliu ka botuar një libër për të rënët aty, me emrin “Rezalla në rrugëtim lirie”.

Për emisionin Info Magazine në Shqip, ai tregoi se si më 5 prill ishte rrethuar i gjithë fshati nga forcat serbe.

“Kanë filluar ta kontrollojnë çdo shtëpi. Prej të gjitha anëve të fshatit i kanë tubuar të gjithëve në kodër. Rreth orës 15:00 kanë filluar ndarjet, gratë dhe fëmijët në një pjesë të rrugës, ndërsa burrat i kanë ndarë prej familjarëve. Gjithsej i kanë ndarë 41 burra, e në mesin e tyre ka qenë edhe fëmija 12-vjeçar, Burim Zabeli. Ai babanë e ka pasur të verbët dhe për dore i kanë vendosur afër një lisi. Më pas, në mënyrën më tinëzare, plumbat e parë i kanë zbrazur nga një pushkë mitrolezi dhe të gjithë kanë rënë aty. Është pushkatuar edhe fëmija 12-vjeçar me babanë e moshuar. Në atë vend janë pushkatuar 41 veta, prej tyre tre vetë kanë mbijetuar”, rrëfen Aliu për Shqip.

Ai tutje shprehet se e kanë gjetur edhe një dëshmi në gjuhën serbe, e cila i ka rënë ne duar, ku thuhej se i ishte dhënë urdhri se sa veta duhet te vriten në fshatin Rezallë.

“Aty shkruhet se është dhënë urdhri që kaq veta duhet te vriten në Rezallë. Ushtria, policia paramilitare serbe nuk ka zgjedhur mosha dhe d.m.th i ka vrarë edhe fëmijët”.

Nga të vrarët e këtij pushkatimi nuk janë gjetur ende edhe tre trupa.

 

You may also like