Marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, është në përputhje me Kushtetutën – Shqip

by admin
Spread the love

Marrëveshja për emigrantët e arritur më 6 nëntor të vitit 2023, në mes të Shqipërisë dhe Italisë është në përputhje me Kushtetutën.

Kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Ky vendim hedh poshtë padinë e 30 deputetëve të opozitës atje, të cilët e kishin kontestuar firmosjen e marrëveshjes nga ana kryeministrit shqiptar Edi Rama, dhe asaj italiane Giorgia Meloni, shkruajnë mediat shqiptare transmeton Klan Kosova.tv

Sipas kësaj marrëveshje, emigrantët do të strehohen në Gjadër, ku do të jetë kampi dhe vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është tre mijë shtretër.

Kujtojmë se kjo marrëveshje është miratuar nga parlamenti italian.

Me vendimin e sotëm të Kushtetueses, marrëveshjes i hapet rruga për të kaluar për votim në Parlament dhe kërkon shumicë të thjeshtë votash.

Vendimi i Kushtetueses në Shqipëri:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancat plenare mbi bazë të dokumenteve, në datat 18.01.2024, 24.01.2024 dhe 29.01.2024, kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot më 29.01.2024, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, vlerësoi se:

Lidhur me respektimin e procedurës së negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për Migracionin, në drejtim të organit kushtetues që ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë, Gjykata verifikoi natyrën dhe përmbajtjen e Protokollit për Migracionin, i cili është negociuar dhe nënshkruar si një marrëveshje ndërqeveritare, e ratifikueshme në Kuvend sipas nenit 121, pika 2, të Kushtetutës.

Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese duke mbajtur në konsideratë jurisprudencën e saj, verifikoi nëse Protokolli për Migracionin përbënte marrëveshje ndërkombëtare që lidhej me territorin dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese e analizoi konceptin “marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin” në dy aspekte:
aspekti fizik; dhe

aspekti juridiksional të lidhur me sovranitetin.

Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të parashikuara në shkronjën b) të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës sepse në thelb, ai nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Duke patur parasysh që nga njëra anë çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin, dhe nga ana tjetër Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë. Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52 dhe 52/a, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

Deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Në bazë të nenit 52/a, pika 2 të ligjit organik vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar hyn në fuqi me publikimin e tij në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi, masa e pezullimit, bie automatikisht.

You may also like