Man. United i përgjigjet City-t, prezanton sulmuesin e talentuar danez

by admin
Spread the love

Tashmë është zyrtare. Rasmus Hojlund është futbollisti më i ri i Manchester united, me klubin anglez që e ka prezantuar 20-vjeçarin me anë të një videoje të shkurtër në rrjetet sociale.

Danezi vjen nga Atalanta, pas një sezoni fantastik në Serie A, teksa operacioni për transferimin e sulmuesit në “Teatrin e Ëndrrave” ka kapur shifrën e 85 milionë Eurove, 75 milionë, plus 10 të tjera në formën e bonuseve.

Lojtari ka firmosur një kontratë që do e mbajë të lidhur me “Djajtë e Kuq” deri në vitin 2028, nga e cila do të përfitojë 5 milionë Euro në sezon, shifër kjo mjaft e lartë krahasuar me 600 mijë në sezon euro që përfitonte tek klubi Bergamask. Hojlund ka thënë fjalët e para si një futbollist i Manchester United.

“Nuk është sekret që kam qenë fans i këtij klubi që kur kam qenë fëmijë. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në “Old Trafford” dhe të mbaj veshur fanellën e United. Jam shumë i entuziazmuar nga kjo mundësi që më është dhënë dhe mezi pres të zbres në fushë dhe të shpërblej besimin e klubit”, u shpreh Hojlund.

20-vjeçari sezonin e fundit shënoi 10 gola me fanellën e Atalantës dhe në karrierën e tij ka luajtur më pak se 100 ndeshje, teksa në prezantim u shpreh se i duhet të përmirësohet akoma më shumë.

“Jam ende 20-vjeç dhe është një privilegj për mua që në këtë moshë të luaj për United, megjithatë kam ende punë për të bërë. Është vetëm fillimi i karrierës dhe duhet të përmirësohem që të jem në lartësinë e duhur për ekipin”, tha sulmuesi danez.


Top Channel

You may also like