Luis Enrique: Mbappe? Strategjia ime nuk do të ndryshojë

by admin
Spread the love

Paris Saint-Germain nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Reims në javën e 25-të, me kampionët e Francës, të cilët regjistruan barazimin e tretë radhazi në kampionat.

Por, sa i përket klasifikimit, parizienët janë në krye përsëri, me 10 pikë diferencë nga vendi i dytë, Brest.

Pas ndeshjes me Reims, trajneri Luis Enrique theksoi se përtej barazimit, skuadra e tij luajti një ndeshje të mirë, pavarësisht nervozizmit që tregoi në pjesën e parë.

“Ndaj Reims skuadra kishte mentalitetin e duhur. Natyrisht ne zbritëm në fushën e lojës për të marrë maksimumin, por në fillim skuadra nuk ishte e qetë, ndikon edhe kalendari i ngjeshur dhe kjo është diçka normale. Nëse ju dëshironi ta bëni dramë këtë barazim, unë nuk ju pengoj. Nuk më pëlqeu aspak mënyra se si pësuam golin e parë, nuk më pëlqen që skuadra ime të dhurojë, prandaj isha shumë i stresuar dhe i nervozuar në stol. Por, më pas pashë djemtë që reaguan, ishim një skuadër agresive dhe e përmbysëm ndeshjen për disa minuta. Në pjesën e dytë mund të bënim shumë më mirë, por ky është futbolli. Jemi 10 pikë përpara vendit të dytë. A do të doja të ishim 12 pikë? Patjetër që po, por nuk është fundi i botës”, tha fillimisht spanjolli.

Më pas, nuk mund të mungonte edhe pyetja për Mbappe, me francezin që e nisi nga stoli këtë ndeshje.

“A po e destabilizoj unë skuadrën me mos aktivizimin e Mbappe? Unë jam trajner dhe shoh shumë gjëra, nuk mendoj vetëm për një ndeshje, apo një lojtar. Vendimet kanë qenë gjithmonë të njëjta gjatë gjithë sezonit. Tani mësova se jam trajneri i vetëm që bëj më shumë ndryshime në formacion në kampionatin francez. Mendoj se e kuptoni përse, sepse ne luajmë në tre kompeticione. Për sa kohë lojtarët më ndjekin unë do të vazhdojë me këtë strategji. A do të luaj Mbappe përsëri në kampionat 90 minuta? Nuk e di. Ajo çfarë di është se ai është numri një si lojtar dhe njeri” – përfundoi Luis Enrique./ Shqip


Top Channel

You may also like