Liverpuli është kthyer në një “klub fëmijësh”, Klop ua dedikon atyre finalen

by admin
Spread the love

“Ti nuk mund të shkosh në finale, në rast se nuk i përdor djemtë”. Jyrgen Klop, trajneri i Liverpulit, gjatë një interviste për “Sky Sports”, përpara finales së Kupës Karabao kundër Çelsit, vlerëson kontributin e lojtarëve të tij të rinj.

Ata e kanë ndihmuar skuadrën që të jetë në luftë për të katërt trofetë në këtë pikë të sezonit, në mes një krize dëmtimesh ku lojtarët në infermieri arrijnë në dopioshifra. Katër lojtarë të akademisë luajtën në takimin e parë të Kupës Karabao kundër Lestërit, ndërsa Ben Dok dhe Stefan Bajçetiç, të cilët ishin 17 dhe 18 vjeç në atë kohë, luajtën gjithashtu. Por katër të rinj luajtën kundër Bornmëthit ndërsa numri i tyre shkoi në 5 në fitoren ndaj Uest Hemit.

Xharell Kuansah ishte titullar në të gjitha këto ndeshjes, ndërsa Konor Bredli ishte titullar në dy gjysmëfinalet kundër Fulhamit, duke luajtur përpara portierit Kaoimhin Kelleher, i cili ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet. Klop ka aktivizuar edhe 18-vjeçarin Bobi Klark për të mbërritur deri në “Uembli”.

“Unë dua të kem një skuadër që është me të vërtetë e uritur për kompeticionin. Ka kuptim të aktivizosh këmbë dhe mendje të freskëta dhe që duan ta fitojnë një ndeshje futbolli më shumë se çdo gjë tjetër në jetë. Prandaj ka funksionuar tani. Në tri vite, ne kemi mbërritur në dy finale të Kupës Karabao, nuk është keq. Liverpuli është një klub special. Këtë nuk e shohin të gjithë ata që janë jashtë. Por unë jam i brendshëm dhe mund t’ua them se është një klub me të vërtetë special, me një histori speciale. Por kjo nuk është merita ime. Unë isha këtu javën e shkuar me drejtorin e akademisë Aleks Ingëlthorp dhe i thashë që jam shumë i kënaqur që ti vjen ende këtu. Ai është shefi i akademisë më të mirë në botë. Është shumë bukur t’i kesh këta djem përreth. E ardhmja e këtij klubi është e ndritur”.

PANORAMASPORT.AL

You may also like