Lidhja simbolizon bashkimin e shqiptarëve – Shqip

by admin
Spread the love

Në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është mbajtur manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Në praninë e shumë mysafirëve, përfshirë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, krerët institucionalë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti theksuan se shqiptarët duke ruajtur lidhjet, ruajnë idealet dhe traditën e angazhimit të interesave të përbashkëta.

Osmani: Lidhja simbolizon bashkimin e shqiptarëve në kohën kur rrezikohej ekzistenca e kombit

Presidentja Osmani foli për rëndësinë e kësaj lidhjeje në historinë e popullit shqiptar për liri, duke thënë se vendi simbolizon vendin e përafrimit të bashkimit të shqiptarëve drejt një qëllimi madhor, atë të lirisë kombëtare “ku i bashkoi e artikuloi kërkesat shqiptare, nga rrezikimi i copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët”.

“Pikërisht në këtë datë, më 10 qershor të vitit 1878, patriotët shqiptarë  u tubuan nga të katër anët e dëshmuan vetëdije të lartë kombëtar, duke mos pranuar që të mbeteshin nën okupim por as të mbeteshin pre e shteteve fqinje gllabërues”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se ata kërkuan jetësimin e shtetit të shqiptarëve si instrument themelor të jetesës kombëtare.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte thirrje për bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtetin e pavarur si instrument I rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt vlerave të larta qytetëruese perëndimore”, theksoi Osmani, e cila shtoi se kjo lidhje tregoi vetëdije të lartë shtetërore duke u shndërruar në platformë të fuqishme nacionale.

“Kësisoj ajo shtroi platformën politike për një shtet të shqiptarëve bën kryengritje të përgjithshme dhe motivuan për lidhje dhe lëvizjen e cila do ta përmbyllte procesin e shpalljes së pavarësisë se Shqipërisë”, theksoi presidentja Osmani.

Ajo më tej shtoi se Lidhja ka shërbyer si model i përhershëm nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh e nga I cili kanë buruar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor, sikurse ai i vitit të ’90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Begaj: Kjo Lidhje krijoi kombin tonë dhe kundërshtoi copëzimin e trojeve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me monumente të cilat na mbushin me krenari për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë.

Ai tha se Lidhja shqiptare e Prizrenit është një prej këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit.

“Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit”.

“Ishte kjo Lidhje që punoi me të gjitha forcat për ta afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur”, u shpreh ai.

Tutje, Begaj u shpreh se kemi  përgjegjësi për të respektuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë.

“Sot teksa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar. Por, ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë, ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë, që këto figura historike na lanë neve si trashëgim”, u shpreh tutje ai.

Kurti: Sikur atëherë, edhe sot shqiptarët duan avancim politik

Kryeministri Albin Kurti tha se 10 qershori i kthen për cdo vit shqiptarët në Prizren, e se kjo datë është po aq e rëndësishme sa 28 Nëntori e 17 Shkurti.

Ai tha se shqiptarët ende kërkojnë avancim politik, siç kërkonin edhe atëherë.

“Data e 10 qershorit është një ditë që na kthen çdo vit në Prizren për të kujtuar Lidhjen e Prizrenit. Nga ajo ditë deri sot në vazhdimësi shqiptarët janë rikthyer me trup dhe me mendje kah Prizreni. 10 qershori është në po atë regjistër datash të rëndësishme si 28 nëntori dhe 17 shkurti”, tha ai.

“10 qershori i viti konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik i shqiptarëve i cili vazhdon edhe sot. Në kohën e lidhjes së Prizrenit shqiptarët synonin bashkim forcash dhe avancim politik, atëherë siç duan shqiptarët sot. Ne duam menaxhim racional të burimeve ekonomike si dhe ngritje të kapaciteteve sot siç donin shqiptarët e lidhjes atëherë”, tha ai.

“Besnikërisht rreth Lidhjes, mund të avancojmë në rrugën tonë për forcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët tanë, amerikanë dhe evropianë”, është shprehur Kurti.

“Për ta ruajtur lidhjen institucionale, jam edhe vetë këtu që ta ruajmë filozofinë e Lidhjes”.

145 vjet më parë, më 10 qershor 1878 ishte mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përvjetor në të cilin po zhvillohen aktivitete të ndryshme në Kosovë.

You may also like