Levandovski: I lumtur në Barcelonë, e ardhmja është e të rinjve

by admin
Spread the love

Robert Levandovski është shfaqur në dhomën e shtypit në “Ciutat Esportiva Joan Gamper” para stërvitjes në mëngjes. Pantallona të shkurtra, atlete dhe xhup. Polaku reflekton klas edhe i veshur me rroba sportive. Gazeta katalanase “Sport” i ka marrë një intervistë të gjatë sulmuesit 34-vjeçar të Barcelonës ku ai ka folur për sezonin e tij të dytë – shumë më të ndërlikuar se i pari – për vendimin e trajnerit Ksavi për t’u larguar në fund të sezonit si dhe për të ardhmen e tij në klub dhe të vetë klubit blaugrana.

Tani në vitin tuaj të dytë në Barcelonë e dini më mirë se çfarë do të thotë Barça…
Viti i parë ishte i mrekullueshëm. Këtë sezon është pak më i vështirë, por është normale, ky është futbolli. Duhet të punojmë më shumë. Unë jam gjithmonë pozitiv për të ardhmen, sepse kemi lojtarë të mëdhenj dhe, megjithëse situata është paksa e vështirë, ne duhet të luajmë deri në fund të sezonit dhe, nëse fitojmë shumë ndeshje, kemi mundësi për të fituar Ligën.

Çfarë ka ndryshuar në krahasim me sezonin e kaluar?
Është e vështirë të shpjegohet vetëm me pak fjalë, ka shumë gjëra. Kemi një skuadër pak më ndryshe nga viti i parë, më pak lojtarë me eksperiencë, me shumë lojtarë të rinj dhe sigurisht që kanë shumë potencial, shumë talent, por në fund duhet edhe eksperiencë. E dimë se ku jemi dhe se mu duhet të shkojmë.

A besoni se mund ta fitoni titullin në La Liga?
Mund të ndodhin shumë gjëra. Tani kemi gjashtë pikë më pak nga Girona dhe tetë nga Reali. Ka dhe shumë pikë në lojë. Natyrisht jo gjithçka varet nga ne, sepse Reali dhe Girona duhet të lënë pikë, por ne duhet të bëjmë detyrën, të fitojmë sa më shumë ndeshje. Po ashtu kemi edhe Ligën e Kampionëve, e cila është shumë e rëndësishme për ekipin dhe për të ardhmen.

Në Ligën e Kampionëve ju presin dy ndeshje delikate ndaj Napolit…
Napoli është një ekip shumë i mirë, por që si ne ka probleme në Serinë A. Unë jam i bindur se nëse do të bëjmë më mirë se deri më tani, me siguri do të mund të jemi në turin tjetër.

A është rikthyer Levandovski më i mirë?
Uroj ta kemi kaluar momentin më delikat të sezonit. Ishte një pjesë e sezonit ku gjithçka shkonte për ters. Tani sikur po fitojmë disi kohën e humbur. Nëse vazhdojmë një ose dy ndeshje duke shënuar gola dhe duke luajtur mirë, do të fitojmë besimin për të vazhduar në të njëjtin nivel.

Thatë më lart se skuadra është shumë e re. Si e shihni të ardhmen?
Të rinjtë kanë shumë të ardhme te Barcelona, por atyre u duhet pak më shumë kohë, është normale. Ju keni cilësi dhe talent, gjë që është e rëndësishme, megjithëse është normale që në moshën 16-vjeçare mentaliteti është pak më ndryshe se nëse jeni 22, 23 apo 25 vjeç. Kjo ndodh në të gjithë botën, jo vetëm në futboll.

Largimi i Ksavit, si e pritët? Ju duket i drejtë si vendim?
Nëse je lojtar apo trajner i Barcelonës ke shumë presion, është normale. Momenti është shumë i vështirë, jo vetëm për ne lojtarët, por edhe për trajnerin. E kuptoj se çfarë do të thotë kjo për të. Tani gjëja më e mirë është se ne fokusohemi në këtë sezon, sepse mund të fitojmë ende me Ksavin.

Ka shumë emra që fliten pas Ksavit…
Nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhë më pas. Ne jemi një ekip dhe duam të shkojmë së bashku në një drejtim.

Si ndihet Leva në Barcelonë?
Ndihem shumë mirë në qytet, familja ime gjithashtu, shumë e lumtur. Jam i kënaqur në klub, por edhe në çdo gjë tjetër.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

You may also like