Lavrov për avionët F-16: Perëndimi po luan me zjarr

by admin
Spread the love

Kryediplomati rus paralajmëroi shtetet perëndimore se “po luajnë me zjarr”, pasi janë pajtuar që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë të prodhimit amerikan, F-16.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, tha se ky vendim “është një përshkallëzim i papranueshëm” i konfliktit, teksa shteti i tij po vazhdon pushtimin e Ukrainës.

“Pa dyshim, ata po lujanë me zjarr”, tha Lavrov gjatë një interviste për një televizion rus, që u publikua në rrjetet sociale.

Ai tha se ky vendim i Uashingtonit, Londrës dhe “satelitëve të tyre në Bashkimin Evropian” synon “të dobësojë Rusinë”.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të mundësohet trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16. Megjithatë, Uashingtoni nuk ka treguar nëse do të dërgojë në Ukrainë këso lloje avionësh.

Ndërkaq, shtetet e tjera, përfshirë ato të NATO-s, kanë ofruar që të trajnojnë pilotët ukrainas që të përdorin F-16.

Ukraina që në nisje të pushtimit nga Rusia në shkurtin e vitit të kaluar, ka kërkuar nga aleatët që t’i dërgojë avionë të sofistikuar.

Me këtë vendim, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka bërë një kthesë, pasi për më shumë se një vit ka refuzuar të miratojë dërgimin e avionëve apo trajnimin e pilotëve nga frika se diçka e tillë mund të përshkallëzojë tensionet me Rusinë.

Pas vendimit për lejimin e trajnimit të pilotëve ukrainas, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se trajnimi nuk nënkupton që aleanca ushtarake është pjesë e konfliktit.


Top Channel

You may also like