Kuvendi: Lituania mbështet aspiratat euro-atlantike të Kosovës

by admin
Spread the love

Nën udhëheqjen e zëvëndëskryesuesit Halil Thaçi, grupi i miqësisë me Lituaninë i kuvendit të Kosovës priti sot në takim grupin e miqësisë Lituani-Ballkan Përendimor të parlamentit të Lituanisë, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Duke falënderuar përfaqësuesit e grupit lituanez të miqësisë, zëvëndëskryesuesi Thaçi theksoi se Kosova dhe qytetarët e saj janë mirënjohës për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të Lituanisë, njofton Klan Kosova.

Për më tepër, Thaçi potencoi faktin se mbështetja e Lituanisë është kruciale jo vetëm për anëtarsimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Duke ndarë histori pothuasje të njejtë të rezistencës ndaj okupatorëve, Kosova e ka të domosdoshme përkrahjen e Lituanisë drejt anëtarësimit të saj në BE, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, u shpreh zëvëndëskryesuesi Thaçi.

Tutje, Thaçi shtoi se parlamentet e të dy shteteve duhet të punojnë në intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Lituanisë.

Kryesuesja e Grupit të Miqësisë nga Parlamenti i Lituanisë, znj. Laima Andrikiené, vuri në pah gatishmërinë e Lituanisë për asistencë në të gjitha fushat ku Kosova ka nevojë, duke filluar nga liberalizimi i vizave e deri në antarësimin e saj në familjen evropiane.

“Meqenëse kjo është vizita e parë deputetëve të Parlamentit të Lituanisë, ne jemi këtu sot për të vazhduar mbështetjen tonë për Kosovën dhe aspiratën e saj për anëtarësim në BE. Duke mbështetur Kosovën, ne tentojmë që të rrisim dhe ruajmë po ashtu demokracinë dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, theksoi kryesuesja Andrikiené.

Sipas saj, për Lituaninë është vitale stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, dhe për rrjedhojë, përkrahja e shtetit që ajo përfaqëson për Kosovën veçse është në rrugën e duhur.

Nga anëtarët e të dy grupeve të miqësisë u theksua se vizita të tilla i kontribuojnë zhvillimit të diplomacisë parlamentare dhe intensifikojnë akoma më shumë marrëdhëniet bilaterale Kosovë- Lituani.

klankosova.tv

You may also like