Kurti të anëtarësohet në SBASHK dhe të kandidojë për kryetar

by admin
Spread the love

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, e vlerëson të gabuar qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti karshi sindikatave në Kosovë. Ai thotë se Kurti nuk duhet të ndërhyjë në sindikata, derisa potencon se i njëjti ka shumë punë për të bërë në qeveri për të përmirësuar kushtet e punës për mësimdhënësit.

Mirëpo, Jasharaj shprehet se nëse kryeministrit i duket atraktive sindikata ka të drejtë të anëtarësohet në SBASHK, e më pas thotë se e fiton të drejtën të jetë edhe kandidat për kryetar në zgjedhjet që pritet të mbahen në muajin prill.

“Nëse aq shumë i duket atraktive sindikata ka të drejtë të anëtarësohet në SBASHK, pastaj e fiton të drejtën të kandidohet, do të jetë kundërkandidat i imi, nëse anëtarësia e voton unë ia bëj ‘përhajër’ e atëherë le ta udhëheq edhe qeverinë edhe sindikatën. Do të jetë rasti unik që një kryeministër po i udhëheq edhe sindikatat. Në të kundërtën, le ta udhëheq qeverinë, ne nuk i përzihemi dhe asnjëherë nuk kemi tendenca për të krijuar probleme të mëdha”, tha Jasharaj për KosovaPress.

Kreu i SBASHK-ut thotë se asnjëherë nuk do të jap dorëheqje nga posti që e mban për shkak të kritikave që i merr nga ana e qeverisë.

Jasharaj thotë për KosovaPress se aktin e dorëheqjes do ta ndërmarrë vetëm nëse këtë ia kërkon anëtarësia, por sipas tij, anëtarësia kërkon të kundërtën, pikërisht që të vazhdojë të drejtojë sindikatën edhe për një mandat tjetër.

“Asnjëherë nuk do të jap dorëheqje pse e kërkon qeveria e për kërkesa të qeverisë, dorëheqja ime do të jetë publike nëse për këtë thotë anëtarësia. Prilli po vjen dhe thash nga takimet që i kemi me nivelet komunale unë e kam përkrahjen e plotë pa bërë fushatë dhe këtë përkrahje, këtë besim të tyre do ta mbaj dhe do ta realizoj”, tha Jasharaj.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës adresoi kritika tek krerët e sindikatave në Kosovë, duke thënë se janë edhe ata fajtorë për gjendjen në arsim e shëndetësi. Këto kritika vijnë pas paralajmërimit që sindikata të ndryshme kanë bërë për protesta e greva, me kërkesën që të miratohet Ligji i pagave.

Për këtë, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se kryeministri nuk ka nevojë të kritikojë atë dhe SBASHK-un, por duhet të marrë veprime konkrete për të ndryshuar gjendjen në arsim.

“Kurti me deklaratat e tij del sikur nuk ka jetuar në Kosovë, këtë gjendje nuk e kemi lëvduar, por gjendja është e tillë, ne kemi pritur se do të ketë ndryshime pozitive por nuk ka, nuk ka as shenja, shkëndija shprese se diçka në arsim do të ndryshojë… Nëse shkollat janë keq, kryeministri nuk ka nevojë të dalë e të më kritikojë mua dhe SBASHK-un, por të merr veprime konkrete, në qeveri të ndajë mjete konkrete dedikuar për çështje konkrete. Të ndajë mjete për laptop, por t’ju drejtohet edhe vendeve mike që nuk përtojnë të na ndihmojnë që edhe ata të ndihmojnë me disa laptopë, të kemi projektor, të kemi sapunë, sepse ka edhe shkolla që nuk kanë as ujë të pijshëm dhe këtë duhet ta dijë kryeministri”, thotë ai për KosovaPress.

Jasharaj i përgjigjet kryeministrit Kurti edhe sa i përket marrëveshjes që kishin bërë në vitin 2017 me PAN-in, për çka thotë se edhe Lëvizjes Vetëvendosje i kishin dërguar kërkesë për të firmosur një marrëveshje të tillë, por që nuk kishin marrë përgjigje.

“I kemi bërë kërkesë të njëjtë të gjitha subjekteve politike që po garonin për ta marrë pushtetin, për ta udhëhequr Kosovën, i kemi dërguar letër të njëjtë LDK-së, LVV-së, Aleancës pastaj që u bënë PAN, Nismës, madje ju kemi dërguar letër edhe partive të komunitetit turk dhe boshnjak… Të gjithëve ju kemi dërguar letra, kemi marrë përgjigje vetëm nga PAN-i atëherë dhe do të ishte jonjerëzore t’i themi PAN-it ‘valla të tjetër nuk po duan nuk po vijmë as tek ju’. Ne kemi pritur që të gjithë do ta pranojnë këtë kërkesë tonën. Ne ishim ngopur me deklarata pompoze nëpër fushata që arsimin e bënin më të zhvilluarin, që do të kujdeseshin për kërkesat tona, por kur kryheshin fushatat ata thoshin e kemi thënë në emocione. Kur e kishim nënshkrimin, po ju garantoj edhe kryeministri Haradinaj edhe z.Veseli i kishin ra pishman pse e nënshkruam, sepse ne në çdo takim ne shkonim me atë marrëveshje”, thotë ai.

Jasharaj thotë se kryeministri Kurti çdo kërkesë të sindikatave po e merr si personale, për çka shprehet se Kurti duhet ta dijë se me sindikatat duhet të bisedohet dhe jo të gjuajë me fjalë nga larg./KP/

You may also like