Kurti diskuton me Lajçakun për uljen e tensioneve – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar të hënën me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për uljen e tensioneve me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Dy zyrtarët kanë biseduar në margjina të Simpoziumit SYMI të mbajtur në Kretë të Greqisë.

Kurti e ka konfirmuar vetë takimin përmes një postimi në Twitter.

“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar. Moti ka qenë shumë më i nxehtë sesa diskutimet tona”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Tensionet në veri të Koosvës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.

Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Mirëpo, më 11 korrik Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Për shkak të mosdëgjimit të këshillave të faktorit ndërkombëtar për dhënie fund të krizës, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

You may also like