Kronika nga vendi më i dhunshëm i Evropës

by admin
Spread the love

Sheshi Mendès-France, në Nante. Një e diel si shumë të tjera. Disa djem presin tramvajin në ndalesën përballë tre blloqeve të mëdha të apartamenteve që po rinovohen. Supermarketi i hapur, jeta në lagje ecën si gjithmonë. Përfshirë edhe tregtarët e drogës. Indiferentë edhe ndaj patrullave të policisë që shkojnë e vijnë, qoftë edhe për të treguar se shteti është aty. Ata shpërndajnë dhe të gjithë e dinë që janë gjithmonë aty, rrëzë atyre pallateve, pikërisht në vendin ku një mbrëmje më parë – atë të 7 tetorit – u vra me të shtëna kallashnikovi një 19-vjeçar. Një vrasje e shpejtë: një djalë me skuter qëllon dhe ikën. Viktima është një algjerian pa leje qëndrimi. Ndoshta një larje hesapesh.

Atentati i tridhjetë e gjashtë që nga fillimi i vitit në Nantes. Pothuajse një në çdo javë. Përveç Nantes: Nimes, Toulon, periferitë e Parisit dhe Lionit, ka shumë qytete ku hapet zjarr.

Në Marsejë ka pasur raportime për të paktën 42 vdekje që nga fillimi i vitit në përleshjet e luftës midis bandave të trafikut të drogës, në lagjet e njohura të periferive veriore.

Tre ishin “viktima kolaterale”. Vdekje aksidentale. Dhe ka lëndime të panumërta. Vrasja e fundit, e dyfishtë, daton disa javë më parë. Por tani ka të shtëna edhe në qendër të qytetit, si më 6 tetor: një njëzet vjeçar u plagos me armë zjarri mes turistëve në zonën e Porto Vecchios. “I njohur për policinë për krime të llojeve të ndryshme”, thuhet në deklaratën e përmbledhur të policisë.

Franca ka qenë vendi më i dhunshëm në Evropë për disa vite dhe statistikat po përkeqësohen. Ka patur terrorizëm, ndikojnë në të dhëna edhe demonstratat e organizuara nga jelekverdhët, e deri te revolta e fundit e periferive. Por nuk është vetëm kaq. Pikërisht në Marsejë, tre vjet më parë, një gjashtëmbëdhjetë vjeçar vendosi të bënte diçka kundër dhunës. Është Amine Kessaci, studenti 19-vjeçar i drejtësisë dhe me shoqatën që themeloi, Ndërgjegjja, flet njëkohësisht për suksesin dhe humbjen: pesë mijë anëtarë në Francë, dhjetëra mijëra njerëz të ndihmuar, përfshirë viktimat e dhunës apo familjet e tyre, por edhe mes atyre që kanë nevojë për ndihmë administrative, apo për të gjetur dialog me institucionet.

Ai jeton ende në lagjen Frais Vallon, ku ka lindur dhe është rritur: “Zonat në veri të Marsejës janë shumë të njohura dhe fatkeqësisht ka shumë varfëri, por përtej kësaj njerëzit flasin me njëri-tjetrin, ka qëndrueshmëri, atje “ka solidaritet, takohesh dhe buzëqesh”, tregon ai.

Por ka edhe dhunë, trafikim, vrasje. Si rasti i vëllait të tij të madh, trupi i djegur i të cilit u gjet brenda një makine pak pas krijimit të shoqatës. “Sot gjërat nuk kanë ndryshuar: gjithnjë e më shumë vdekje, gjithnjë e më shumë dhunë, gjithnjë e më shumë barbari”, vazhdon Amine, “por lufta jonë për një jetë dinjitoze sapo ka filluar”.

Gjithnjë e më shumë barbarizëm, thotë Amine, dhe statistikat franceze e konfirmojnë këtë. Në tetë muajt e parë të vitit 2023, vetëm pesë tregues nga 13 janë në rënie. Në rritje, ndër të tjera: vjedhjet, vjedhjet e makinave, vandalizmi, sulmet dhe mbi të gjitha vrasjet, me një +8 për qindësh, që shton rritjen tashmë mbresëlënëse të vitit të kaluar. Në vitin 2022 kishte 948 viktima dhe që në 2020 ishin 879, në rritje, me 12 vrasje për milion banorë, krahasuar me 4.9 në Itali (që francezë t e quajnë  ende “Le pays de la mafia!”).

Të dhënat mbi dhunën e perceptuar nga shoqëria peshojnë gjithashtu: 10 përqind e francezëve thonë se ndihen të pasigurt në lagjen ose fshatin e tyre. Një e dhënë që rritet në 26 për qind në periferitë urbane, ku prania e policisë është më e rrallë.

Fondacioni Jean Jaurès, në raportin e tij Fractures Sociales, vëren se 87 për qind e francezëve e perceptojnë dhunën në rritje. Është shqetësimi i katërt kryesor (pas fuqisë blerëse, mjedisit dhe statusit social), në të njëjtin nivel me emigracionin.

Nga ana tjetër, perceptimi i një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis dhunës dhe emigracionit është gjithnjë e më i përhapur. Një ndjesi e konfirmuar pjesërisht nga ministri i Brendshëm Gérald Darmanin, i cili saktësoi në Parlament se në vitin 2022, ishin kryer nga të huaj, të cilët përfaqësojnë vetëm 8 për qind të popullsisë franceze: 41 për qind e totalit të vjedhjeve, 35 për qind e vjedhjeve të dhunshme pa përdorimin e armëve, 17 për qind e sulmeve dhe po aq për vrasje.

Sipas Alain Bauer, kriminologu më i njohur francez, ky disproporcion është më shumë për shkak të moshës së re, sesa faktit të të qenit emigrant. Djem të rinj, që kanë një tendencë më të madhe ndaj dhunës. Por thjesht kini parasysh se në vitin 2022 janë kryer afërsisht 125 mijë gjymtime gjenitale femrash, një krim, për të kuptuar se matrica etnike dhe sociale nuk mund të mos peshojë.

Didier Leschi, i cili ka drejtuar OFFI, zyrën franceze të imigracionit dhe integrimit, që nga viti 2015, konfirmon për Panorama se “80 për qind e kërkesave për azil në Francë vijnë nga meshkujt”. Mes të cilëve ndonjëherë nuk ka dëshirë për t’u integruar. Një pakicë që “priret të rritet me rritjen e flukseve”.

Një nga faktorët e mungesës së integrimit është feja: “Në mungesë të ideologjive të tjera të disponueshme, të rinjtë, mbi të gjitha, janë tërhequr nga islamizmi radikal”, shpjegon më tej Leschi. Problemi përkeqësohet nga kontaktet më të lehta me vendin e origjinës sesa në të kaluarën: rrjetet satelitore dhe televizorët kontribuojnë për të mbajtur një mjedis kulturor ndonjëherë edhe armiqësor ndaj shoqërisë pritëse. / Me shkurtime nga Panorama Italia – Bota.al

You may also like