KROACI – 50 vjet pasi ish-Jugosllavia mbrojti të drejtat e abortit, kjo trashëgimi është nën kërcënim

by admin
Spread the love

TIRANË, 27 mars /ATSH/- Mijëra persona dhe grupe fetare dhe neokonservatore kanë rritur presionin për të ndaluar abortet në Kroacinë katolike, sipas AP.

Debati i ashpër ka nxitur mosmarrëveshje në vendin e Bashkimit Evropian me rreth 3,9 milionë banorë ku aborti mbetet i ligjshëm, por qasja në procedurë shpesh është mohuar, duke bërë që shumë gra t’i japin fund shtatzënisë në Slloveninë fqinje.

Lëvizja është në kontrast të plotë me të kaluarën e afërt të Kroacisë, kur ajo ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, një vend i drejtuar nga komunistët që mbronte të drejtat e abortit në kushtetutën e saj 50 vjet më parë.

Çështja u kthye në fokus këtë muaj pasi Franca përfshiu të drejtën e abortit në kushtetutën e saj dhe aktivistët në Ballkan kujtuan se ish-Jugosllavia e kishte bërë këtë në vitin 1974.

Pasi Jugosllavia u shpërbë në një seri luftërash në vitet 1990, vendet e reja që u shfaqën mbajtën ligjet e vjetra në fuqi. Megjithatë, ringjallja postkomuniste e ndjenjave nacionaliste, fetare dhe konservatore e ka kërcënuar atë trashëgimi.

Ligjet e Jugosllavisë për abortin qëndruan të paprekura pas ndarjes së Kroacisë nga vendi në 1991, por mjekëve iu dha e drejta të refuzonin t’i kryenin ato në vitin 2003. Si rezultat, shumë gra kanë udhëtuar në Slloveninë fqinje për të kryer aborte gjatë viteve.

Një fushatë aktuale e lëvizjes “Za Zivot” (Për jetën) në Kroaci përfshin lutje dhe leksione për shpëtimin e të palindurve dhe ndalimin e abortit në vend.

Një organizatë burrash e quajtur “Muzevni Budite” (Bëhu mashkullor), qëndron pas lutjeve në sheshet e qytetit, ku ata predikojnë ringjalljen e dominimit mashkullor dhe rolet tradicionale gjinore së bashku me një fushatë kundër abortit.

Mjekët jugosllavë menduan për herë të parë legalizimin e abortit në vitin 1935, dhe kjo u bë realitet në vitet 1950. E nxitur nga një organizatë e grave e krijuar nga Lufta e Dytë Botërore, e drejta për abort u përfshi më vonë në kushtetutën e Jugosllavisë.

Duke deklaruar se është e drejta e njeriut që të vendosë lirisht për lindjen e fëmijëve, kushtetuta e Jugosllavisë nuk garantonte në mënyrë eksplicite abortin, siç bën ajo e Francës.

Por, megjithatë grate jugosllave patën akses për të ndërprerë shtatzënitë në klinika në të gjithë ish-federatën gjashtë anëtarëshe.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like