Krishtlindje në fushë, Mançester Junajtid mbreti i “Boxing Day” / Anglezët vazhdojnë të respektojnë traditën historike

by admin
Spread the love

Ndryshe nga shumë kampionate të tjera europiane, sezoni i futbollit vazhdon edhe gjatë sezonit festiv në Angli. Tradicionalisht, ndeshjet luheshin në ditën e Krishtlindjes derisa ato u zhvendosën në ditën pasardhëse për t’u dhënë familjeve mundësinë për të kaluar më shumë kohë së bashku.

Hera e parë që një ndeshje futbolli u luajt në “Boxing Day” ishte më 26 dhjetor 1860 kur Hallam FC priti Shefilld FC në “Sandygate Road”. “Blades” fituan 0-2 në një ndeshje që ishte e para në shumë mënyra: ishte derbi i parë i futbollit, Hallam i sapoformuar ishin rivalët kryesorë lokalë të Shefilldit.

KARAMELET E KRISHTLINDJES

Ndeshjet e ditës së Krishtlindjes datojnë në vitin 1888 kur u formua liga angleze. Luajtja e ndeshjeve më datën 25 dhjetor provoi të ishte jashtëzakonisht popullore, madje Evertoni arriti të gjente hapësirë për të luajtur dy ndeshje, një barazim pa gola me rivalët vendas Butëllit në “Anfield” në ditën e Krishtlindjes dhe më pas u kthyen të nesërmen për një barazim në “Lancashire Senior Cup”.

Ndeshjet e para (joprofesionale) të futbollit që do të luheshin në ditën e Krishtlindjes u zhvilluan gjatë Luftës së Parë Botërore, të luajtura gjatë armëpushimit të vitit 1914. Se sa pjesë e historisë është mit dhe nëse trupat aleate dhe gjermane në të vërtetë u përballën me njëra-tjetrën apo zhvilluan ndeshje futbolli mes tyre, nuk është e qartë. Por ideja që ndeshjet e futbollit të luheshin gjatë një armëpushimi të shkurtër në luftime depërtoi në imagjinatën e publikut.

Ndeshjet e Ditës së Krishtlindjes ishin të njohura deri në fund të viteve 1950. Në përgjithësi, ndeshjet do të nisnin në orën 11:00 dhe do të përfundonin pikërisht në kohën e duhur për t’u kthyer në shtëpi për një darkë me rosto të pjekur.

Ndeshjet e para të “Boxing Day” u zhvilluan në vitin 1957, me shumë brohoritje festive për Evertonin. “Toffees” mposhtën Boltonin 1-5 ndërsa Mançester Siti regjistroi një fitore 4-1 në shtëpi ndaj Bërnlejt.

FITORJA MË E THELLË

Këto fitore ishin shumë larg triumfeve më të mëdha të “Boxing Day”. Olldhem shënoi 11 gola ndaj një Sauthporti të dorëzuar, pa marrë asnjë gol në portën e tyre në vitin 1962. Në përgjithësi, në kampionatin anglez, skuadra me më shumë fitore në “Boxing Day” është Mançester Junajtidi me 53 suksese në 93 ndeshje të luajtura më 26 dhjetor.

“Djajtë e kuq”, të cilët nuk kanë qenë në aksion në këtë ditë për dy sezonet e fundit, nuk kanë humbur një ndeshje të “Boxing Day” që nga viti 1978, kur Liverpuli i Bob Peislit doli fitimtar: Xhimi Kejs shërbeu Rei Kenedin dhe Dejvid Ferklafin, duke shënuar edhe një gol vetë.

Për një kohë të shkurtër, Junajtid kundër Liverpulit ishte një klasike e “Boxing Day”: “Reds” fituan 2-0 vitin pasardhës në “Anfield”, por ndeshja e vitit 1980 përfundoi pa gola. Që atëherë, ata u takuan vetëm një herë në ditën e Shën Stefanit. Përballja e vitit 1986 u vendos nga një gol i vonë i Norman Uaitsajdit.

BORO THYEN REKORDIN E JUNAJTID

Mançester Junajtid është gjithashtu skuadra me shifrat më të mira të epokës së Premier Ligës, duke fituar 21 nga 27 ndeshjet e tyre në “Boxing Day” dhe duke humbur vetëm dy: ndaj Midëllsbrout (në 2002) dhe Stok Sitit (në 2015).

Shefilld Uednesdej, Blekbërni, Bërnlej dhe Lestëri ishin katër klubet e tjera që morën diçka nga përballjet e tyre me Junajtidin në “Boxing Day”.

Pas “djajve të kuq”, klubi me rekordin e dytë më të mirë të “Boxing Day” është ai me të cilin përballen sot: Aston Vila. Ata kanë 46 fitore në këtë ditë, përpara Liverpulit, Evertonit dhe Mançester Sitit, të gjithë me 43.

Në epokën e Premier Ligës, Junajtid është skuadra më e mirë, e ndjekur nga Arsenali, Liverpuli, Totenhemi, Çelsi, Evertoni dhe Mançester Siti.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

You may also like