​“Kosovo Online” portal propagandues serbo-rus, kërkohet ndalimi i operimit të tij në Kosovë

by admin
Spread the love

Në ditët e sotme kur në vazhdën e propagandës serbo-ruse ka portale që mundohen të shtrembërojnë të vërtetën, njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se i tillë është edhe “Kosovo Online”, portal ky që po vlerësohet të jetë madje edhe i rrezikshëm. Të njëjtit apelojnë që këtij mediumi t’i ndalet operimi në Kosovë.

Deputeti Luan Aliu thotë se ky portal është krijuar pikërisht për të plasuar lajme të rrejshme në mënyrë që të krijojë opinion të rrejshëm.

Aliu, i cili është edhe anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, thekson për KosovaPress, se duhet sa më parë të gjendet se prej ku operon “Kosovo Online” dhe t’i pamundësohet operimi në nivel të Republikës të Kosovës.

“Në Republikën e Kosovës mendoj që mediumet tona duhet të kenë kujdes se prej kujt po shërbehen, prej kujt po marrin materiale, sepse sot lufta hibride është njëra prej luftërave që fillon kështu, por përfundimi i saj mund të jetë më i rrezikshëm se që mund ta paramendojmë ne vet… 3:19 Kjo është njëra prej problematikave që sot ekziston… ‘Kosovo Online’, është një protal jashtëzakonisht i rrezikshëm, nëse mund të shprehem kështu, dhe furnizimi nga ai portal lajmet që ai mund t’i publikojë, dhe bashkëpunimi me këtë portal sigurisht që është shumë i rrezikshëm”, thotë ai.

Komisioni i Pavarur i Mediave u ka ndërprerë transmetimin katër kanaleve ruse, por Dalipi thotë se është shumë e rëndësishme që edhe portalit Kosovo Online t’i ndërprehet operimi.

Ai apelon mediat në Kosovë që të kenë kujdes pasi siç thotë ai, në kohën kur lufta hibride është përhapur kaq shumë, pasojat e saj mund të jenë shumë të mëdha.

“KPM sigurisht që e ka për obligim me i kontrollu mediat në përgjithësi, për raportimet që i bëjnë, sidomos portalet e tilla, mendoj që nuk duhet të humbasim kohë shumë, të gjendet se prej ku operon dhe t’i pamundësohet operimi në nivel të Republikës të Kosovës. Do të thotë është e vërtet që ‘Kosovo Online’, jo vetëm tani, por prej kur ekziston, e që unë mendoj që është krijuar pikërisht për të plasuar lajme të rrejshme, për të krijuar opinion të rrejshëm në gjendjen në Kosovë, të krijojë ndonjë panik, sidomos në kohën kur lufta në Ukrainë është duke u zhvilluar dhe të bëjmë një paralele me gjendjen atje siç është, është e dëmshme për opinionin tonë. Mendoj që KPM-ja do të jetë në gjendje t’i monitorojë të gjitha, sidomos për rastin konkret… Mendoj që portali në fjalë nuk duhet të merret seriozisht, duhet sa më shumë të bojkotohet prej të gjitha medieve dhe portaleve që sot shërbejnë dhe na ofrojnë informacione të ndryshme, për shkak se një informacion mund të jetë për dikë që ta kuptojë që është propagandë, por dikush mund të mos ta kuptojë kështu dhe mund të keqkuptohet dhe mund të rrjedh deri tek një moment ku nuk dihet cili do të jetë fundi i një informacioni që mund të del nga ky portal”, thekson ai.

Profesori universitar, Arben Fetoshi thotë për KosovaPress se raportimi i mediave ruse dhe serbe është joprofesional dhe në shpërputhje me interesin e publikut, pasi që këto të fundit po keqpërdorin edhe krizën në Ukrainë për interesa partikulare de politike.

Fetoshi thekson se një prej portaleve pas së cilave qëndron qeveria serbe është “Kosovo Online”, pronari i të cilit, siç thotë ai, e ka pranuar se është brenda një konteksti të inteligjencës serbe.

“Unë mendoj që pas shumicës së mediave në Serbi, fshihet qeveria e Serbisë. Praktikisht më ka ra me e pa këtë, sepse është një prej burimeve të informacionit me nxitje propagandistike sa i përket në veçanti Kosovës dhe e kam përshtypjen që “Kosovo Online”, është një portal i cili ka implikime të qarta, të hapura edhe me shërbime inteligjente me qëllime politike të qeverisë në Serbi dhe natyrisht është thjesht shpërfaqja e asaj shkolle, atij modeli për të cilin folëm e që në fakt nuk e veçon vetëm këtë medium por është në përgjithësi qasja e të gjitha mediave të Serbisë kundrejt Kosovës në kuptimin e dezinformimit, pra në kuptimin e përdorimit të këtyre mediave si instrument për qëllimet e politikës Serbe, për qëllimet e Qeverisë Serbe, dhe në këtë raste për ta përforcuar, dhe kjo është më shqetësuese besoj. Një lloj aleance të cilën e kemi njohur historikisht, sa i përket Serbisë si një lloj sateliti i Rusisë në rajonin tonë. Pra, është shembull tipik dhe m’ka ra me pa këto ditë edhe për shkak të një sulmi kibernetikë që ka pas ky medium dhe praktikisht vet drejtuesi i këtij mediumi, në një mënyrë pranon që është brenda një konteksti të inteligjencës të qeverisë serbe”, thekon ai.

Edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Shkëlzen Osmani thotë se mediat që janë pro regjimit të Rusisë, kanë filluar të krijojnë një realitet fiktiv apo ilizionar në raport me zhvillimet që ndodhin në teren.

“Kohëve të fundit mediat pro regjimit të Rusisë apo ndryshe siç njihen edhe mediat pro Kremlinit në bazë të metrologjive të hulumtimit dhe raporteve të disa organizatave perëndimore kanë filluar të krijojnë një realitet fiktiv apo iluzionar në raport me zhvillimet që ndodhin në terren. Hibrid.info si platformë për kontrolle të fakteve e cila është anëtarësuar në IFSN në rrjetin ndërkombëtar të kontrolluesve të fakteve deri më tani ka trajtuar një sërë rastesh apo lajmeve që vijnë nga terreni, nga lufta në Ukrainë, të cilat vijnë kryesisht nga mediat pro regjimit në Rusi, por kemi dhe të tilla që vijnë nga profile, grupe, faqe të pakonfirmuara, të cilave nuk ju dihet identiteti”, thotë ai për KosovaPress.

Ai thekson se këto praktika, ku shteti bënë propagandë dhe përdorë mediat për ta shtyrë përpara këtë propagandë nuk janë të reja. Ndërkohë që jep disa sugjerime se si lexuesi mund t’iu shmanget lajmeve të tilla të rrejshme.

“Lajmet e tilla kanë të bëjnë me zhvillimet në Ballkan, qoftë me zhvillimet në Rusi, por në rastin tonë edhe me Kosovën. Kemi edhe media në gjuhën serbe të cilat veprojnë në Kosovë, të cilat përdorin te njëjtën përmbajtje propaganduese për zhvillimet në Kosovë. Lexuesit për t’iu shmangur këtyre lajmeve duhet t’i kenë parasysh disa tipare apo veçori. Pikë së pari duke e ditur që ka një dallim të skajshëm apo thellimi polarizues në botë mes lindjes dhe perëndimit, duhet te kenë parasysh që lajmet te cilat vinë nga mediat shtetërore, qoftë ruse por edhe kineze, të kenë një lloj mëdyshje apo rezerve gjatë kohës kur ato i lexojnë. Për këto kanë folur edhe institucionet, qoftë edhe Komisioni i Pavarur i Mediave. Mediat të cilat kanë sugjeruar lexuesit që të mos i besojnë mediave shtetërore ruse apo mediave të shteteve lindore që kanë një far lloj armiqësie me aleancën perëndimore, dhe e dyta është t’i shohin nëse ato lajme janë të bazuara në fakte. Në shumë raste p.sh të mediave shtetërore ruse apo shteteve lindore, ata përdori një fakt dhe e ndërtojnë një narrativë e cila nuk është e vërtete por ka edhe raste të tilla që ndërtojnë komplet narrativen boshe të pa bazuar në asnjë fakt”, shton ai.

Ndërkohë për rëndësinë e informimit të drejtë të qytetarëve flet edhe profesori, Arben Fetoshi, i cili thotë se mënyra më e mirë është që qytetarët të informohen nga burime kredibile dhe të besueshme, duke pasur parasysh që gjatë konsumimit të informacioneve të tregohet kujdes në qoftë se burimet e referuara janë të sakta dhe kredibile.

“Mendoj që sidomos në situatat e krizës media sfidohet më shumë, natyrisht unë shpresoj që drejtuesit e mediave ta kenë parasysh këtë sfidë që sot e ka goditur gjithë Evropën, pra jo vetëm Ukrainën, sepse në situata lufte natyrisht që gjendja dramatike kërkon një përgjegjësi shumë më të lartë e kujdes shumë më të madh të drejtuesve të mediave me qëllim që informacionet për publikun të jenë të sigurta, të sakta dhe të mos insistojnë në shkaktim të panikut dhe në keqinformim të qytetarëve, pra kjo është më e rëndësishmja. Është sfidë që e dikton çfarëdo situate e jashtëzakonshme siç e kemi tani me luftën në Ukrainë e që efektet natyrisht janë gjithandej edhe në shoqërinë tonë, prandaj mendoj që mediat tona ta tregojnë këtë kujdes dhe të mos bien pre e burimeve të paverifikuara”, thotë ai./KP/.

You may also like