Kosova mposht Irlandën në Prishtinë

by admin
Spread the love

Përkundër mungesave të shumta, Kombëtarja e Kosovës në basketboll, e ka nisur me “këmbë të mbarë” ciklin parakualifikues për Kupën e Botës 2027.

Në ndeshjen e parë të Grupit A, Kosova e ka mposhtur Irlandën. Në duelin e luajtur të enjten mbrëma në Prishtinë, ku palestra ishte e mbushur dhe pati përkrahje të fuqishme për Kosovën, “Dardanët” triumfuan me shifrat 83:76.

Kosova gjatë tërë ndeshjes kanë mbajtur ritmin e lojës dhe ishin në epërsi ndaj Irlandës, e cila gjatë tërë takimit vetëm në dy raste pati avantazh – në çerekun e dytë dhe të katërt.

Kosova pati mungesën e katër lojtarëve, të lënduarit Erjon Kastrati, Lis Shoshi e Dominic Artis ndërsa Jan Palokaj nuk u paraqit për shkak të moskompletimit të dokumentacionit. Të përzgjedhurit e selektorit Rami Hadar, arritën t’i fitojnë tre çerekët e parë, kurse Irlanda e fitoi vetëm të fundit (19:18) por që nuk pati ndonjë vlerë.

Padyshim se më i merituari për këtë fitore të rëndësishme të Kosovës, ishte Drilon Hajrizi. Hajrizi ndeshjen e mbylli me 20 pikë e 8 kërcime, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe kapiteni Dardan Berisha e Mikaile Tmushiq. Berisha kontribuoi me 19 pikë, ndërsa Tmushiq shtoi 11 pikë e 6 asistime.

Te Irlanda, tre basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërsa më efikasi ishte Jordan Blount. Blount realizoi 27 pikë por nuk ishin të mjaftueshme për ta evituar humbjen nga Kosova.

Ndeshjen e rashës në fazën e parë të parakualifikimeve për Botërorin 2027, Kosova e luan të dielën në Baku kundër Azerbajxhanit.

Për dallim prej Kosovës, Azerbajxhani pësoi humbje të thellë në ndeshjen e parë në udhëtim te Zvicra, me rezultatin 72:53.

You may also like