Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet. Dialogu, platforma e vetme për të ecur përpara – Shqip

by admin
Spread the love

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar sërish Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet mes tyre dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Duke folur në Vjenë, në krah të homologut austriak, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se dialogu është mekanizmi i vetëm që Prishtina dhe Beogradi të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.

“Ne po ashtu po punojmë së bashku për të përmirësuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm, rruga e vetme përpara. Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, për të stabilizuar raportet e tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge”, tha Blinken.

Më tej kryediplomati amerikan tha se njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk iu duhet kthimi prapa, por të lëvizin para dhe të integrohen në Bashkimin Evropian. Për këtë ai iu bëri apel të dyja vendeve që të rrisin transparencën në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”, tha ai.

Vitin e kaluar, palët arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, e cila mes të tjerave parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore./Tv Klan

You may also like