Konsulli i Kosovës në Hamburg thotë se Gërvalla i vizitoi pa paralajmërim për 17 shkurt

by admin
Spread the love

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kishte marrë rrugë drejt konsullatës së Kosovës në Hamburg.

Por, përfaqësuesit e kësaj zyre, e morën vesh për këtë vizitë vetëm kur ministrja arriti para dyerve të konsullatës. Kjo për shkak se e njëjta këtë vizitë e kishte bërë pa e lajmëruar askënd zyrtarisht. Faktikisht, Gërvalla një njoftim e kishte dërguar përmes aplikacionin “Whatsapp”.

Kështu pretendon Gramos Begolli, konsull i Kosovës në Hamburg, i cili thotë se kishte menduar se ky lajmërim ishte i rrejshëm, meqenëse s’ishte bërë në mënyrë zyrtare.

“Ka ardhur pa paralajmërim për pavarësinë e Kosovës. Rregullat janë të qarta, por edhe rregullat diplomatike ekzistojnë për të gjitha shtetet ku duhet të sundojë ligji. Në rastin e vizitave në një shtet tjetër, duhet të lajmërohen vizitat e nivelit të lartë. Znj.Gërvalla në bazë të rregulloreve është dashur të lajmërojë këtë vizitë në konsullatë, që ne t’i njoftojmë policinë dhe institucionet. Sepse në momentin kur të arrijë një përfaqësim i lartë, duhet të vijnë autoritetet që të sigurohet itinerari, dhe të sigurohet objekti që të mos ndodhë ndonjë incident”, ka thënë Begolli në emisionin Frontal në T7.

Madje konsulli në ikje, Gramos Begolli thotë se kishte raportuar këtë numër i cili i kishte kontaktuar në aplikacionin “Whatsapp”, për shkak që nuk besonte se autore e asaj kërkese është vet Gërvalla.

“Si profil i fotografisë, ka qenë një fotografi e një kafshe, nuk e kam marrë shumë serioze kërkesën, dhe nuk kam besuar se autorja e atij profili do të jetë zonja Gërvalla. Kam kërkuar përmes postës zyrtare, mirëpo nuk kam marrë konfirmim, dhe kemi vazhduar të nesërmen. Meqenëse ka qenë situatë me covid, e kemi pasur një numër të caktuar të pranishmve, hapësirat e konsullatës janë të vogla. Sidomos në pandemi.”

Por, me të arritur në konsullatë, kërkesat e ministres së Punëve të Jashtme, kishin vazhduar. Sipas Begollit, ajo kishte kërkuar nga konsulli që në aktivitetin e organizuar, t’i jipet fjala disa bashkatdhetarëve.

Begolli pretendon që ministrja kishte një qasje hakmarrëse.

“Për çudi, zonja Gërvalla ka kërkuar të ftohen dy bashkatdhetarë, një kryetar i një klubi futbollistik, t’iu kërkohet falje dhe t’ju jepet fjala. Unë jam konsull i përgjithshëm, institucion, i cili nuk ka nevojë që për teke të ministres, të përdoren si mashë për të kërkuar falje dhe për institucionin.
Muhamet Idrizi dhe dy persona të tjerë të cilët nuk ishin të ftuar, që për çudi është hera e parë që ministrja paraqitet në konsullatë, asnjëherë nuk kemi pasur me të komunikim, ose për ndonjë ndihmë, sepse gjatë mandatit tim, kam kaluar tre ministra dhe dhjetëra drejtorë, ka qenë mision i vështirë. Me ardhjen e zonjës Gërvalla komplet misioni ka qenë tjetër, sepse gjithmonë ka pasur qasje hakmarrëse mes neve të propozuarit politik dhe këtyre që morën pushtetin”, është shprehur Begolli.

Ai e ka konsideruar qasjen e ministres si joprofesionale dhe shprehet se atij i është mohuar edhe e drejta e fjalës në këtë aktivitet.

You may also like