Komuna e Prishtinës nuk e pagoi, veterinari ia preu barkun dhe e lëshoi qenin pa vath (VIDEO)

by admin
Spread the love

450 mijë euro ka shpenzuar deri në këtë fazë Komuna e Prishtinës në përpjekjen e saj për të ndërtuar strehimoren e parë për vendosjen dhe trajtimin e qenve endacakë.

Menaxhimi me qentë endacakë është bërë një problem i përditshëm në kryeqytet, por edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Me qindra mijëra euro, institucionet shtetërore dhe ato komunale harxhojnë brenda një viti kalendarik në projektet që përdorin metodën kap, sterlizo, vaksino dhe lësho.

Por pavarësisht kësaj, problemet me qentë endacakë janë të mëdha. Vetëm në Prishtinë, sipas deklarimeve të zyrtarëve komunalë, janë 10 mijë qenë endacakë.

Shpeshherë vihet në pikëpyetje edhe fakti nëse këto kafshë trajtohen nga ambulancat të cilat përfitojnë nga projektet.

Në rrjetin social Facebook, konkretisht në faqen “Vrojtuesit e lagjes – Komuna e Prishtinës”, nuk është i rrallë publikimi i pamjeve të tilla, sikurse këto kur shihet një qenushe me bark të prerë.

Shenjat në trupin e saj tregojnë se qenushja mund të jetë trajtuar më parë me metodën KSVL nga ndonjë veterinar, pasi asaj i mungonte matrikula- vathi.

Për KIKS Kosovën, udhëheqësi për Shërbime Publike në Prishtinë,  Habib Qorri, ka sqaruar se qenushja, megjithatë, është trajtuar me metodën KSVL, por fakti që veterinari nuk ishte paguar, ajo u lëshua pa iu vendosur matrikula.

Në komunën e Prishtinës, sipas raportit të realizuar në gjashtëmujorin e parë të 2022, nga Operatori “Veterina ShPK” janë trajtuar gjithsej 709 qenë endacakë.

Por organizatat që merren me mbrojtje të kafshëve, janë kritikues në punën e veterinarëve. Sipas tyre, raportet që vijnë nga komunat për trajtimin e qeneve janë më tepër qesharak sesa real e përmbajtësor.

You may also like