KOMENT – Izraeli detaje për përfshirjen e punonjësve të UNRWA-s në sulmin e Hamasit

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 31 janar /ATSH-DPA/ – Izraeli ka dhënë më shumë detaje për përfshirjen e pretenduar të disa punonjësve të agjencisë së ndihmës së OKB-së për refugjatët palestinezë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Eylon Levy tha se të paktën 13 punonjës të agjencisë kryesore të ndihmës së OKB-së në Gaza ishin të përfshirë në mizoritë që shkaktuan afërsisht 1 200 të vdekur në Izrael, mijëra të tjerë të plagosur dhe rreth 240 njerëz të marrë peng.

Më herët, u hodhën akuza për 12 punonjës me lidhje me sulmet. Levy tha se autoritetet po vazhdonin të mblidhnin informacione.

“10 nga 13 të dyshuarit janë anëtarë të Hamasit, dy të Xhihadit Islamik dhe një nuk i përket ndonjë organizate terroriste”, tha ai.

“Gjashtë nga ata që dyshohet se janë përfshirë në masakër ishin gjithashtu në territorin izraelit më 7 tetor”, shtoi Levy.

Ai tha se gjithsej katër punonjës të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë (UNRWA) ishin të përfshirë në rrëmbimin e izraelitëve, dy prej të cilëve kishin kaluar gjithashtu në territorin izraelit.

Të paktën dy pengje izraelite, të cilët që atëherë janë liruar nga Hamasi, pretenduan se ishin mbajtur në shtëpitë e mësuesve që punonin në shkollat e UNRWA në Gaza.

Levy akuzoi agjencinë e OKB-së se ishte një “organizatë e frontit të Hamasit”, pasi stafi i saj kishte “ndihmuar dhe inkurajuar” grupin militant për vite me radhë.

“Ushtarët izraelitë kanë gjetur infrastrukturën e Hamasit të ngulitur në objektet e UNRWA-s në Rripin e Gazës, të tilla si tunele apo streha”, tha Levy.

“Raketat ishin hedhur gjithashtu drejt Izraelit nga shkollat e UNRWA-s”, shtoi ai.

Shumë vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, kanë pezulluar përkohësisht pagesat për organizatën e ndihmës pas akuzave javën e kaluar.

Agjencia e OKB-së ka shkarkuar punonjësit e dyshuar të përfshirë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor.

Edhe pse polemikat rriten, disa vende po i dalin në mbrojtje agjencisë.

Ish-kreu i UNRWA-s, Matthias Schmale, akuzoi se koha e zbulimeve është e motivuar politikisht.

“Raportet dolën menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Gaza më 26 janar”, tha Schmale për transmetuesin gjerman Deutschlandfunk.

Schmale tha se ishte plotësisht e mundur që punonjësit në fjalë të ishin të përfshirë dhe vuri në dukje se raportet nuk e befasuan atë.

“Por koha më duket shumë e përcaktuar politikisht”, theksoi ai. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like