Kishte kërcënuar me vrasje gruan – Shqip

by admin
Spread the love

Vihet në pranga bashkëshorti i 41-vjeçares që humbi jetën 4 ditë më parë, si pasojë e konsumimit të fotoksinës. Nga hetimet e thelluara rezultoi se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij. 45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xhemal Loka, 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij. Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, Xhemal Loka e ka kërcënuar bashkëshorten me thikë, për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja Bedrie Loka nuk ka bërë kallëzim në Polici”, njofton policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e Xhemal Lokës, cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.

Ky celular, bashkë me celularin e Bedrie Lokës, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes. Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi Bedrie Lokën të konsumonte lëndë helmuese.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.

Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të Bedrie Lokes, në rrjetin social “Tik Tok”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al

You may also like