Kërkova lumturinë tek kombi më i lumtur në botë, dhe mësova rëndësinë që ka pesimizmi në jetën e njeriut

by admin
Spread the love

Nga Lucy Pearson

Kur u ftova të merrja pjesë në një kurs disaditor mbi lumturinë në Finlandë, disa nga miqtë e mi shprehën habinë e tyre. Lusi,më tha njëri prej tyre, ti je një nga njerëzit më të lumtur që njoh. E çfarë shpreson të mësosh nga finlandezët? Unë mendoj se ajo kishte deri dikur të drejtë.

Unë kam qenë gjithmonë një nga ata njerëz që janë mësuar të shohin përherë gjysmën plot të gotës. Por duke qenë gjithmonë optimiste nga natyra, e pranova me kënaqësi ftesën. Ne britanikët kemi rreth 60 fjalë për lumturinë:lumturi, ekstazë, kënaqësi etj…

Lista është sa e larmishme aq edhe befasuese, duke pasur parasysh që këtë vit sapo kemi hyrë në listën e 20 vendet më të lumtura të botës. Finlandezët, që janë shpallur kombi më i lumtur në botë për të gjashtin vit radhazi, janë ose onnelline ose iloinen.

Kjo e fundit përkthehet përafërsisht si e gëzueshme:pra mund të ndiheni të gëzuar që po shkoni për pushime. Nga ana tjetër onnellinen flet për konceptin e të qenit i kënaqur me jetën tuaj, në vend se të përshkruani një ndjenjë kalimtare.

Në dekadën që nga publikimi i Raportit të parë të Lumturisë Botërore në vitin 2012, 4 vende kanë mbajtur vendin e parë: Danimarka, Zvicra, Norvegjia dhe tani Finlanda. Ai bazohet në një vlerësim të quajtur “Shkallët e Cantril”, në të cilin të anketuarve u kërkohet të vlerësojnë lumturinë e përgjithshme të jetës së tyre aktuale në një shkallë nga 1 deri në 10.

Ai analizon disa faktorë që mund të ndikojnë në lumturinë e një popullsie, duke përfshirë bujarinë, lirinë dhe besimin. Për të katërtin vit radhazi, Britania e Madhe ka rënë në renditjen globale të lumturisë, duke zbritur 2 vende dhe u renditur në vendin e 19-të.

Mendoj se kjo nuk është krejtësisht befasuese, duke pasur parasysh rritjen e kostos së jetesës, skandalin Partygate dhe fushën e minuar politike që është Brexit. Por ç’është më shqetësuese, raporti global i lumturisë i Oracle 2022 për Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se gati gjysma e britanikëve (49 për qind) nuk e kanë ndjerë lumturinë e vërtetë në 2 vitet e fundit.

Aktualisht ne jemi prapa SHBA-së, Izraelit, Zelandës së Re dhe Luksemburgut, por përpara vendeve si Afganistani dhe Libani, aktualisht dy vendet më pak të lumtura në botë. Kjo rënie e vazhdueshme e kënaqësisë tek britanikët është shqetësuese. Për të zbuluar se çfarë mund të mësojmë ne britanikët e mjerë nga finlandezët, shkova në liqenin Saimaa, 3 orë e gjysmë me makinë nga Helsinki.

Është një vendpushim i krijuar enkas për t’i marrë punët shtruar. Çdo vilë ka saunën e saj, e vendosur në një pyll me pisha aromatike. Aromat, muzika dhe materialet janë krijuar të gjitha për të joshur shqisat e njeriut dhe për t’i ndihmuar mysafirët që të pushojnë. Siç theksuan me të drejtë shumë miq, e si mund të mos jesh i lumtur atje?

Por qëndrimi im atje më tregoi se pse finlandezët ndihen më të lumtur se të tjerët. Nuk ka dyshim se ata i kanë bërë si duhet shumë gjëra. Për shembull dashuria e tyre për saunat. Të njohura për përfitimet e tyre shëndetësore, saunat janë fantastike për qetësimin e mendjes. Dhe me rreth 3 milion sauna në një popullsi prej pak më shumë se 5.5 milion, finlandezët i integrojnë ato në jetën e përditshme. Po ashtu, ata kanë një prirje të madhe për të kaluar shumë kohë në natyrë. Dhe ajo nuk është as ekstravagante apo e kushtueshme.

Disa studime sugjerojnë se të kalosh vetëm 15 minuta mes pemëve në një park apo pyll, mund të ulë presionin e gjakut dhe të përmirësojë shëndetin fizik dhe mendor. Qasja tek natyra luan me siguri një rol në mirëqenien e finlandezëve. Ata kanë 41 parqe kombëtare, që të gjitha të lira për gjithkënd, 647 lumenj dhe një vijë bregdetare mbi 1100 kilometra të gjatë, pa harruar dhjetëra mijëra ishujt e vendit.

Udhërrëfyesi ynë këmbënguli se vetëm daljet për një shëtitje në mëngjes për të pirë një kafe, mund të kenë efekte të dobishme për shëndetin. Dhe ndërsa qëndroja në një zonë të shkretë ishullore, duke thithur aromën e druve që digjeshin në një zjarr dhe me një filxhan kafeje në dorë, e rrethuar nga pemët dhe ujërat e qeta të një liqeni, nuk isha plotësisht i sigurt se do të ndihesha aq e qetë në një shëtitje në mëngjes në Gail’s.

Sigurisht, Finlanda ka rezultate të mira në indekset që merren parasysh në tabelat globale të lumturisë: PBB, barazia, mbështetja sociale, jetëgjatësia e shëndetshme, liria, bujaria, mungesa e korrupsionit. Finlandezët përballen me shumë nga të njëjtat sfida me ne të tjerët, por përgjigja e tyre mbështetet tek 3 elementë kryesorë:barazia, arsimimi dhe transparenca.

Por më shumë se sa kjo, midis finlandezëve ka një qasje të cilën unë nuk e shoh tek britanikët që më pyesin gjithmonë pse jam kaq optimiste:ndjenjën e të qenit mirënjohës për fatin e tyre. Është një koncept që i bën jehonë proverbit finlandez, onnellisuus on se paikka puuttuvaisuuden ja yltäkylläisyyden välillä , që do të thotë “lumturia është një vend midis shumë pak dhe shumë”.

Ndoshta gjëja kryesore që mësova nga udhëtimi është fokusi i finlandezëve tek kënaqësia mbi gëzimin. Në ditën time të dytë në Finlandë , takova Timo Auvinen, që drejton shëtitjet rreth liqenit Saimaa. E pyeta nëse kjo qasje ishte sekreti i lumturisë së vendit të tij në botë.

M’u përgjigj duke qeshur se finlandezët kanë disa thënie për kërkimin e tyre mbi lumturinë. Ato përfshijnë “pesimisti nuk do të zhgënjehet asnjëherë” dhe se “lumturia përfundon gjithmonë me lot”, por edhe thënien “asgjë nuk është aq e keqe, sa të mos ketë asgjë të mirë në të”.

Ai vuri në dukje se pritshmëritë më të ulëta të finlandezëve, i lënë shumë më pak hapësirë zhgënjimit, gjë që do të thotë se është e arritshme një ndjenjë më neutrale e kënaqësisë. E gjitha kjo më nxiti të mendoj se finlandezët mund të kenë të drejtë. Në vend se të përpiqemi t’i kemi të gjitha, a mos duhet të përpiqemi të përfitojmë sa më shumë nga ajo që kemi tashmë:një kafe e ngrohtë, nga aktet e dashamirësisë ndaj të panjohurve, parqet të lira

për të gjithë, pemët e bukura?

Pyes veten nëse po gënjehemi duke u fokusuar tek një kërkim i pafundmë për lumturinë. Se në vend se të përpiqemi për të qenë të gëzuar – emocioni ynë më i lakmuar – ne duhet të kënaqemi me kënaqësinë e mirë të modës së vjetër. Dhe shëtitjet e herëpashershme në një park.

Shënim: Lucy Pearson është një gazetare e pavarur dhe një blogere librash. / “The Guardian” – Bota.al

You may also like