Jildiz “fshin” edhe Pol Pogbanë, gati t’i marrë numrin 10 te Juventusi

by admin
Spread the love

Numri 10 është një çështje serioze… Ai konsiderohet si numri perfekt nga Pitagora, por në të njëjtën kohë ky është ai numri mistik edhe i futbollit! Ai që përfaqëson perfeksionin, fantazinë, pikën e referimit, njeriun mbi të cilin rrotullohet skuadra dhe pa dyshim njeriun mbi të cilin duhet të investohet për të tashmen dhe të ardhmen.

Dhe në Torino, në radhët e Juventusit, tashmë ky person është Kenan Jildiz. Ai talenti prej kristali, i mbërritur me një famë të madhe, por me këmbë të mbështetura fortë në tokë. Ai talenti që pranoi që ta nisë edhe nga fundi (me Juven U-23 në kategorinë e tretë), por asnjëherë nuk nguroi që të punojë çdo ditë përpara syve të Masimiliano Alegrit, aq sa ta bindte për t’i dhënë një shans dhe që në ndeshjen e parë si titullar të dhurojë spektakël dhe të shënojë gol në një transfertë shumë delikate si me Frozinonen.

Por mbi të gjitha, ai është talenti i shpresës së madhe si një “Del Piero i ri” ka lindur në Torino dhe gjithashtu ai që po bën të harrohet të shumëadhuruarin e tifozërisë bardhezi, Pol Pogbanë, i cili mes dëmtimeve dhe dopingut e shndërroi shpresën në një zhgënjim. Për këtë arsye, ndërsa klubet e mëdha të Europës kanë nisur që të sulen me miliona, Juventusi sa vjen e shton përkëdheljet ndaj tij, pasi kërkon ta shtrëngojë fort dhe mbi të gjitha të nisë të vlerësojë shumë më shumë figurën dhe imazhin e Jildizit. 18-vjeçari, i cili në verë rinovoi deri në vitin 2027 tani do i duhet që të grisë marrëveshjen aktuale dhe të bëhet gati për një të re, e cila pritet të jetë mes viteve 2029-2030, por mbi të gjitha do të ketë shumë herë më shumë zero, që do të mbushin llogarinë e tij bankare.

Dhe për ta celebruar siç duhet këtë dashuri të madhe mes palëve, qershia mbi tortë do të jetë edhe dhurimi i numrit mistik, 10-ta e famshme e legjendave si Del Piero, Baxho, Platini…

Ai numër që ka humbur në një sirtar të Pol Pogbasë, por që tashmë bën mirë që ta dorëzojë, pasi në këtë aventurë të dytë, ai nuk u ngjit asnjëherë më lart sesa shifra zero. Kështu që sido që të shkojë ky sezon, fiton apo jo titullin apo ndonjë trofe, Juventusi do të ketë fituar një prej yjeve dhe kampionëve më të mëdhenj në qarkullim, Kenan Jildizin, numrin 10-të të ardhshëm të “Zonjës së Vjetër”, nga ku do të ringrihet edhe skuadra e të ardhmes. Madje, me hapat e shpejtë që Jildiz po ecën rrezikon që nëse Federiko Kieza nuk zgjohet t’ia rrëmbejë jo vetëm vendin e titullarit, por edhe imazhin e liderit absolut të Juventusit…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

You may also like