“Jemi si në 2010-ën, Bellingam ëndrra ime”, Bepe Marota: Ju tregoj si i projektojmë parametrat zero

by admin
Spread the love

Pas triumfit ndaj Juventusit dhe hapit drejt fitores së titullit kampion, Bepe Marota analizon momentin që po kalojnë zikaltrit. Në mikrofonat e “Dazn”, biseda e tij nis me elozhet për bashkëpunëtorët. “Unë jam thjesht një prej pikave të piramidës zikaltër dhe ndoshta për vjetërsinë në rolet drejtuese më njihen meritat. Por fati im i madh është që punoj me Inzagin, Auzilion, Baçinin dhe Zanetin.

Kemi krijuar një skuadër fituese”, tha fillimisht Marota. Në merkaton e janarit pati një planifikim të qartë për të ardhmen. “Dua të them se ajo që vlen është fakti që Interi përfaqëson një skuadër dhe një klub që po rikthehet të jetë i rëndësishëm ashtu si në vitin 2010.

Tani shumë lojtarë kërkojnë të luajnë me Interin. Zielinski? Kam folur me De Laurentisin për ta njoftuar se po studiojmë terrenin ashtu siç janë të gjitha rregullat. Auzilio tani e ka në dorë për ta mbyllur këtë marrëveshje dhe nëse gjithçka do të shkojë siç duhet, do ta federojmë për vitin e ardhshëm. Është intuita jonë për të lëvizur shpejt”, shtoi ai.

Marota, si ju është dukur Turam në muajt e parë si lojtar i Interit?

Gjithmonë ka dëshmuar se është një talent, por pastaj pati një dëmtim të rëndë. Ia dolëm që ta transferonim me parametra zero dhe ishte një lëvizje shumë e rëndësishme. Auzilio dhe Baçin nuk u dorëzuan kurrë. Është një djalë i shkëlqyer dhe fakti që ka një baba si Lilië e ka ndihmuar për të punuar shumë. Kam pasur mundësinë që t’i njoh mirë dhe ai e ndjek hap pas hapi.

Na tregoni pak, si lindin këto parametrat zero?

Nga puna e përbashkët e të gjithë stafit teknik, nga vëzhguesit që monitorojnë dhe na sinjalizojnë për lojtarët që janë në skadencë kontrate. Pastaj kërkohen kontaktet dhe bisedimet me ta. Për ne është më e lehtë që të futemi në biseda dhe negociata sepse përfaqësojmë Interin.

Të them të drejtën, tani është më e lehtë sesa nga momenti kur unë kam ardhur këtu. Kemi fituar 6 tituj, kemi luajtur 2 finale europiane. Interi është gjithmonë Inter dhe Milano tërheqëse. Ndonjëherë shtyhen për të jetuar këtu edhe nga bashkëshortet apo të dashurat. Kjo është e rëndësishme.

Gjithashtu jeni duke planifikuar edhe disa rinovime kontratash…

Nuk kemi ankth apo nxitim sepse asnjë lojtari nuk i përfundon kontrata në fundin e këtij sezoni. Sigurisht që duam të konsolidojmë raportet me futbollistët që tregojnë dashuri për këtë fanellë si Lautaro dhe Barela. Por nuk po nxitojmë. Jemi të sigurt në aspektin kontraktual. Por kemi të bëjmë edhe me profesionistë të mëdhenj që e respektojnë Interin.

Sa shumë ju ka ndihmuar eksperienca juventine në punën tuaj?

Dua të them që të gjitha aventurat më kanë ndihmuar që të rritem në të gjitha aspektet. Sigurisht, kjo e Juventusit ishte më domethënësja për kulturën e fitoreve dhe mësova se çfarë do të thotë që çdo detaj i vogël të merret në konsideratë sikur të jetë thelbësor. Tani ne jemi një skuadër dhe një klub me mentalitet fitues që është pjesë e rritjes. Mentaliteti fitues u ngulit në mendjet e lojtarëve akoma më shumë në finalen e Stambollit. Lojtarët janë stërvitur në mendje se çfarë do të thotë të fitosh.

Si i keni analizuar deklaratat ironike të Alegrit para dhe pas ndeshjeve?

Ironia është pjesë e lojës. Duhet ndonjëherë të mos i bëjmë dramatike. E rëndësishme është që ne të bëjmë rrugëtimin tonë dhe Juventusi të bëjë të tijin.

Ju mungon Antonio Konte?

Në këto momente është një trajner që do të bënte komod shumë skuadra të ndryshme. Shpresoj shumë që të qëndrojë në Itali, por gjithçka varet nga ai. Por dua që të shpenzoj disa fjalë pozitive për Inzagin. Duke konsideruar moshën e re që ka në krahasim me Alegrin dhe Konten ai është në rritje konstante. Është i zoti në aspektin njerëzor dhe profesional. Di mjaft mirë që të organizojë lojën dhe ndeshjen. Jemi krenarë që e kemi zgjedhur, por meritat më të mëdha i ka ai.

Ju ka impresionuar Pavar?

Ai lojtar i kushtoi Interit 30 milionë dhe 2 bonuse. Është kampion bote dhe bën pjesë në kombëtaren e Francës. Për më tepër e transferuam nga Bajerni. Është shumë i rëndësishëm. Përpara ndeshjes të gjithë bënin një krahasim mes tij dhe Bremerit, por për karakteristika janë dy lojtarë të ndryshëm. Të dy të zotët. Pavar është një lojtar i madh, i kompletuar si në aspektin mbrojtës dhe në ndërtimin e lojës.

A është e vërtetë që u larguat nga Juventusi sepse nuk ishit dakord me transferimin e Kristiano Ronaldos?

Fillimisht dua të them që kalova shumë vite aty. Dua t’i kujtoj me nostalgji ato që bëra aty. Ishte momenti kur pronarët e klubit vendosën që të ndiqnin një strategji ndryshe dhe atëherë unë si menaxher duhet të bëja një hap pas. E bëra me buzëqeshje madje. Ishte normale që unë të respektoja vullnetin dhe dëshirën që kishin pronarët dhe klubi.

Donin që të rinovonin drejtuesit dhe projektet. Operacioni “Kristiano Ronaldo” në një pjesë më bindte, por kisha dyshime në aspektin financiar. Ishte shumë impenjativ. Megjithatë, nuk ishte kjo arsyeja që unë dhe Juventusi përfunduam raportin tonë. Ishte thjesht një ndryshim programi, filozofie dhe fundi i një cikli.

Nëse do të kishit një buxhet pa limite, kë lojtar do të donit të transferonit tek Interi?

Ka shumë lojtarë. Dua të them diçka që është shumë e vështirë t’i kesh paratë sesa të mos i kesh. Kur nuk i ke, duhet të jesh kreativ dhe këtë e them shpesh me Auzilion. Bellingam është një lojtar që më argëton shumë.

A është Interi i Inzagit më i përmirësuar sesa ai i Kontes?

Cikli i ri në fakt ka nisur që me Spaletin, pastaj Konte e ndryshoi duke sjellë shumë kualitet si në planin e mentalitetit fitues ashtu edhe të lojës. Pastaj erdhi Inzagi, i cili me stilin e tij po aplikon një tjetër mënyrë loje dhe argëtimi në skuadër. Ai ka një raport të shkëlqyer me futbollistët sikur të jetë shok skuadre me ta. Merita të mëdha shkojnë si për Konten dhe Spaletin, por tani është momenti i Inzagit. Ne jemi një grup spektakolar dhe në dhomat e zhveshjes raporti është shumë pozitiv.

Keni bërë një gjysmë sezoni fantastik. Deri ku mund të shkojë ky Inter?

Ende nuk kemi fituar asgjë. Shkurti është një muaj që peshon shumë. Kemi 13 pikë më shumë sesa viti i kaluar dhe të dhënat janë shumë domethënëse. Diferenca mes golave të shënuar dhe atyre të pësuar është 41. Unë nuk kujtoj ndonjë skuadër me këtë të dhënë. Por problematikat më të mëdha do t’i kemi në fushat e vogla, duke nisur që nga ndeshja me Salernitanën. Duhet t’i luajmë këto sfida me vendosmërinë që treguam ndaj Juves. Jemi të parët, por rruga është e gjatë.

E prisnit që të kishit një grup kaq të bashkuar?

Dua të them diçka në lidhje me Auzilion, i cili është shumë i nënvlerësuar, por me kohën po e tregon që është një drejtor sportiv i zoti dhe kompetent. Organika e skuadrës është e shkëlqyer. Nëse je në një ekip të madh duhet të kesh shumë lojtarë. Nëse Inzagi ngrihet në këmbë sheh që në pankinë ka disa lojtarë që mund t’u besojë.

Mund të na bëni një vlerësim për disa ish-lojtarë që janë prezentë në studion tonë. Sa kushtonte Di Biaxho dhe Ferrara?

Di Biaxho besoj 30 milionë euro. Ferrarën e kujtoj që te moshat e Napolit. Unë isha te Varese dhe ai një djalosh me dëshira të mëdha. Ka kombinuar në mënyrë perfekt kualitetin në futboll me atë human.

Tifozët e Interit shpresojnë që ju të qëndroni sa më gjatë në skuadër. Çfarë do të bëni pas kësaj aventure?

Siç e dini unë e kam rinovuar kontratën. Ma propozoi presidenti Stiven Zhang dhe jam i lumtur. Kontrata ime përfundon në vitin 2027, kur të jem 70 vjeç. Unë jam i dashuruar me futbollin dhe sportin. Dua të krijoj një jetë të re dhe një mision të ri. Do të më pëlqente të merresha me sportin në nivelin politik.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

You may also like