Jashtë objektivave, Milani ka alergji nga duelet e mëdha

by admin
Spread the love

Seria pozitive e rezul tateve të Milanit u ndërpre kundër Atalantës, në Kupën e Italisë dhe në mënyrën më të keqe të mundshme madje. Sukseset kuqezi kishin rifilluar pikërisht pas një disfate kundër Atalantës më 9 dhjetor, por përfunduan sërish ndaj bergamaskëve në çerekfinalen e Kupës së Italisë, të mërkurën në mbrëmje, në “San Siro”, duke u eliminuar nga një objektiv sezonal.

Për të gjetur një disfatë kuqezi në shtëpi për më tepër duhej të ktheheshim pas në kohë më 28 nëntor 2023, në Champions, kundër Borusias së Dortmundit, por papritur, 5 fitoret dhe një barazim në gjashtë ndeshjet e fundit për “Djallin” kanë rezultuar një flakë kashte. Mungesa e kualifikimit për në gjysmëfinale e kupës nuk është vetëm një konfirmim se sivjet ky Milan nuk jep garanci për një trofe, duke qenë se ka dalë shumë shpejt edhe nga lufta për titull kampion (i ka mbetur të luftojë në Ligën e Europës), por tregohet sërish i pasigurtë në ndeshjet me peshë, në duelet direkte.

Nëse bëjmë një pasazh në ndeshjet me vlerë të rëndësishme që Milani ka luajtur deri në këtë pjesë të sezonit, ato janë 13, duke kaluar nga Seria A te Champions-i, bilanci nënvizon se skuadra e Stefano Piolit ka dalë fitimtare vetëm në 4 raste, duke mundur Romën, Lacion, PSG-në dhe Njukasëllin.

Më pas kanë ardhur tre barazime me Napolin, Dortmundin e Njukasëllin, ndërkohë që humbjet janë 6, duke nisur nga derbi i turpshëm i fillimsezonit me Interin, humbjet me PSG-në e Dortmundin në Chamopions, ajo ndaj Juventusit dhe dy ndaj Atalantës, ku e fundit e nxorri nga Kupa e Italisë.

DUELET SEZONALE

Kështu që, duke dalë jashtë luftës nga dy objektiva të rëndësishëm pas vetëm 6 muajsh, Milani duhet të harrojë sa më shpejt gjithë këto dhe të fokusohet pse jo te Liga e Europës, një turne që me pak fat dhe vazhdimësi nuk është i pamundur të fitohet.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

 

You may also like