Izraeli: Lirimi i pengjeve në Gazë nuk do të fillojë para së premtes

by admin
Spread the love

Lirimi i pengjeve bazuar në një armëpushim të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit, nuk do të ndodhë përpara së premtes, bënë të ditur këshilltari i sigurimit kombëtar të Izraelit dhe SHBA-ja.

Izraeli dhe Hamasi ranë dakord herët të mërkurën për një armëpushim në Gaza për të paktën katër ditë për të lejuar hyrjen e ndihmave si dhe lirimin e të paktën 50 pengjeve të mbajtura nga luftëtarët e Hamasit, në këmbim të të paktën 150 palestinezëve të burgosur në Izrael.

Koha e fillimit të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve të kapur nga grupi ekstremist palestinez gjatë sulmit të tij më 7 tetor ndaj Izraelit ende nuk është shpallur zyrtarisht.

Një burim egjiptian i sigurisë tha se ndërmjetësit kishin kërkuar që kjo të fillonte të enjten në një orar prej orës 10:00.

“Negociatat për lirimin e pengjeve tanë po vazhdojnë dhe po avancojnë,” tha këshilltari izraelit për sigurinë kombëtare, Tzachi Hanegbi, në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit.

“Fillimi i lëshimit do të bëhet sipas marrëveshjes origjinale midis palëve, dhe jo para së premtes”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha se janë duke u përpunuar detajet përfundimtare logjistike për lirimin e pengjeve. “Kjo është në rrugën e duhur dhe ne shpresojmë që të premten në mëngjes të fillojë zbatimi,” tha Watson.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, duke cituar një zyrtar të Izraelit, të paidentifikuar, raportoi se kishte një vonesë 24-orëshe sepse marrëveshja nuk ishte nënshkruar nga grupi ekstremist palestinez Hamas dhe ndërmjetësi Katari. Ai tha se ishin optimistë se marrëveshja do të realizohej pas nënshkrimit.

“Askush nuk tha se do të kishte një lirim nesër, përveç mediave… Ne duhej ta bënim të qartë se asnjë lirim nuk është planifikuar përpara të premtes, për shkak të pasigurisë me të cilën po përballen familjet e pengjeve,” citoi Kan. Kështu thuhet në zyrën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut.

Duke cituar zyrtarë anonimë, mediat izraelite raportuan se pauza në luftimet me Hamasin gjithashtu nuk do të fillonte para të premtes. Faqja e lajmeve Ynet raportoi se Izraeli nuk kishte marrë ende emrat e pengjeve të planifikuar për lirim nga grupi radikal palestinez.

Që nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit, që befasoi qeverinë dhe tronditi izraelitët, pesë pengje janë gjetur të gjalla. Izraeli thotë se 1.200 njerëz u vranë, kryesisht civilë dhe rreth 240 të tjerë janë marrë peng nga persona islamikë të armatosur.

Si hakmarrje, Izraeli e ka bombarduar Gazën e sunduar nga grupit radikal palestinez. Më shumë se 14.000 njerëz të Gazës janë vrarë, rreth 40% e tyre fëmijë, sipas zyrtarëve mjekësorë në këtë territor.

Mediat palestineze raportuan se avionët dhe artileria izraelite goditën qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, në të paktën në dy valë të enjten herët.

Në Izrael, sirenat që paralajmëronin për sulm me raketa nga Gaza u ndezën në komunitetet pranë kufirit me territorin të enjten herët, tha ushtria. Nuk pati raportime për dëme apo të lënduar. /REL


Top Channel

You may also like