IZRAEL – Netanyahu hedh poshtë akuzat për gjenocid në Rripin e Gazës

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 11 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka përsëritur se Izraeli nuk ka ndërmend të pushtojë përgjithmonë Rripin e Gazës ose të dëbojë popullsinë civile.

“Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze, dhe ne po e bëjmë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”, tha Netanyahu në një deklaratë video dje në mbrëmje.

Sot do të fillojnë procedurat për luftën në Gaza në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Afrika e Jugut ka paditur Izraelin, duke thënë se e konsideron dhunën ushtarake kundër popullatës civile në Rripin e Gazës si shkelje të Konventës së OKB-së për gjenocidin.

Netanyahu tha se “IDF po bën të pamundurën për të minimizuar viktimat civile, ndërsa Hamasi po bën të pamundurën për t’i maksimizuar ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore”.

Ushtria izraelite përdor paralajmërime për t’i nxitur civilët palestinezë të largohen nga zonat e luftës, tha ai, ndërsa Hamasi përdor forcën e armatosur për t’i parandaluar ata që ta bëjnë këtë.

“Qëllimi ynë është të çlirojmë Gazën nga terroristët e Hamasit dhe të çlirojmë pengjet. Pasi kjo të arrihet, Gaza mund të çmilitarizohet dhe çradikalizohet”, tha Netanyahu.

”Kjo do të krijojë mundësinë për një të ardhme më të mirë për Izraelin dhe palestinezët”, theksoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like