IZRAEL – Gallant: Më shumë punonjës të UNRWA-s të përfshirë në sulmin e 7 tetorit

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 16 shkurt /ATSH-DPA/- Izraeli ngriti dyshime të reja kundër agjencisë palestineze të ndihmës UNRWA, duke akuzuar mbi 30 anëtarë të stafit të agjencisë së OKB-së që ofrojnë ndihmë për palestinezët, për përfshirje në sulmet e 7 tetorit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant akuzoi UNRWA për lehtësimin e marrjes së pengjeve dhe për plaçkitjen e komuniteteve izraelite.

“Përveç kësaj, 1 468 ose 12% nga 13 000 punonjës të stafit të UNRWA-s që punonin në Rripin e Gazës mbanin lidhje me Hamasin ose me Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ)”, tha Gallant.

Gallant shtoi se 185 punonjës të UNRWA-s ishin aktivë në krahun ushtarak të Hamasit dhe 51 në krahun ushtarak të PIJ-së.

Ai identifikoi 12 punonjës të UNRWA-s, të cilët Izraeli i kishte akuzuar më parë se ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit.

Raportet kanë bërë që një numër vendesh perëndimore të pezullojnë fondet për UNRWA, duke përfshirë donatorët kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka premtuar një hetim gjithëpërfshirës dhe ka ndërprerë punësimin e një numri të caktuar të stafit.

E themeluar në vitin 1949, UNRWA ofron ndihmë për refugjatët palestinezë, duke operuar objekte arsimore dhe mjekësore.

Nga mbi 30 000 punonjës të organizatës, rreth 13 000 prej tyre punojnë vetëm në Rripin e Gazës.

Agjencia shihet si e pazëvendësueshme në këtë zonë, ku ofron ndihmë për më shumë se 2 milionë civilë që vuajnë aktualisht efektet e Luftës së Gazës. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like