IZRAEL – Cameron: Teherani po merr një vendim për të vepruar ndërsa Irani zotohet të përgjigjet ndaj çdo inkursioni

by admin
Spread the love

TIRANË, 17 prill /ATSH/- Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha sot se Izraeli “po merr një vendim për të vepruar” në përgjigje të sulmit me raketa dhe dronë të Iranit gjatë fundjavës, ndërsa Irani paralajmëroi se edhe pushtimi “më i vogël” i territorit të tij do të sillte një përgjigje “masive dhe të ashpër”, sipas AP.

Izraeli është zotuar t’i përgjigjet sulmit të paprecedentë të Iranit pa thënë se kur dhe si, duke e lënë rajonin të përgatitur për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit pas disa muajsh trazirash të lidhura me luftën e vazhdueshme në Gaza.

Aleatët më të afërt të Izraelit, duke përfshirë SHBA-ne dhe Britaninë e Madhe – të cilat e ndihmuan atë të zmbrapsnin sulmin iranian – po përpiqen të kufizojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm.

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi ndërkohë ka paralajmëruar Izraelin për rrezikun e çdo hakmarrjeje ndërsa i drejtohej një parade vjetore të ushtrisë, e cila ishte zhvendosur në një kazermë në veri të Teheranit, nga vendi i saj i zakonshëm në një autostradë në periferi jugore të qytetit – ndoshta për shkak të frikës se mund të vihej në shënjestër.

Raisi tha se sulmi i së shtunës ishte i kufizuar dhe se nëse Irani do të kishte dashur të kryente një sulm më të madh, “asgjë nuk do të mbetej nga regjimi sionist”.

“Një sulm me raketa i kryer sot nga Hezbollahu i Libanit në një qytet kufitar verior të Izraelit plagosi 13 persona” sipas burimeve izraelite.

Grupi militant i mbështetur nga Irani tha se ishte një përgjigje ndaj vrasjes së disa prej luftëtarëve të tij, duke përfshirë një komandant, në sulmet izraelite në Liban një ditë më parë.

Gjatë vizitës sot në Izrael Cameron tha se është e qartë se izraelitët “po marrin një vendim për të vepruar” kundër Iranit, por ai shpresonte se ata do ta bënin këtë “në një mënyrë të zgjuar dhe të ashpër dhe gjithashtu që nuk nxit një përshkallëzim të konfliktit”.

Cameron tha se qëllimi kryesor i vizitës së tij ishte të ripërqendronte vëmendjen në luftën e vazhdueshme në Gaza dhe nevojën për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like