INTERVISTË l Lumir Abdixhiku, mes jetës dhe politikës

by admin
Spread the love

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova e ka të garantuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues në çdo përballje me Serbinë.

Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka deklaruar se kjo duhet t’i mjaftojë Kosovës për t’u futur guximshëm në procesin dialogues me qëllim të përmbylljes së çështjeve me Serbinë, si dy shtete të pavarura e sovrane. Abdixhiku e ka kritikuar Qeverinë Kurti për punën që ka bërë prej momentit që është në pushtet. Sipas tij, kjo Qeveri përfaqëson rastin më të rëndë të ndryshimeve të qëndrimeve.

I pari i LDK-së ka treguar se ky subjekt e ka të qartë rrugën përpara: “I ka të qarta reformat substanciale që do t’i bëjë. Në këtë rrugëtim do të jem i pakompromis sepse këtë e kërkon anëtarësia jonë e qytetarët e vendit. Kam marrë këtë detyrë, për të bërë mu këtë dhe do ta bëj pa asnjë hezitim”.

Pos politikës, Abdixhiku në intervistën për Klankosova.tv ka folur edhe për veten e tij dhe familjen. Ai ka treguar preferencat momentale të leximit.

Kohëve të fundit kryesisht ndodhem në mes të librave të Stephen Hawking, mbi hapësirën, kohën, universin dhe vetë teorinë e kuantumit; sikurse të mitologjisë greke. Sapo kam përfunduar librin e Stephen Fry ‘Troja: Tregimi ynë më i madh, i ritreguar’; një përmbledhje e shkëlqyeshme e tregimeve mitologjike”, ka thënë Abdixhiku.

Derisa ka folur për familjen e tij, ai ka deklaruar se gruaja e tij, Albina është shtylla e shtëpisë, duke treguar se një ditë e tyre nis me mëngjesin e hershëm derisa bashkë me bashkëshorten dhe vajzat e tij, dalin nga shtëpia.

“Për mua, familja është jashtëzakonisht e rëndësishme. Koha me ta, pavarësisht kohëzgjatjes, duhet të jetë e vërtetë dhe e qetë. Brengat, problemet, ngarkesat e përditshme në atë kohë të përbashkët duhet t’i lëmë anash. Se sa ia dalim gjithherë, kjo është çështje tjetër më pas”,ka thënë Abdixhiku.

Intervista e plotë e Abdixhikut për Klankosova.tv: 

Pyetja: Cilat do të ishin vendimet e para që do t’i bënit nëse tani do të ishit në krye të qeverisë?

Abdixhiku: Padyshim dalja nga depresioni politikbërës, në të cilin Kosova është futur tash e sa kohë. Politika kosovare është bërë platformë e përbaltjes së të shkuarës, e fare pak e ndërtimit të së ardhmes. Aktorët politikë në pushtet duket se ndihen shumë më shumë komfort në këtë përbaltje sesa me ndërtimin e diçkaje konkrete për të tashmen e për të ardhmen. Ndoshta sepse kjo reflekton më së miri paaftësinë dhe pazotësinë e tyre apo edhe sepse u shërben si ushqim për mirëmbajtjen e bazave partiake, por e vërteta e dhimbshme është se Kosova është në vendnumërim sepse po merret me të shkuarën.

Unë dhe bashkëpunëtorët e mi në LDK duam të qëndrojmë për idetë që ndërtojnë këtë vend e shoqëri në rrugëtimin tonë drejt barabarësisë mes kombeve evropiane. Pra duam të flasim për ekonomi, për shëndetësi, për arsim, për infrastrukturë, për energji, për projekte e punë që krijojnë mirëqenie para vendnumërimit.

Duam të flasim për përfundimin e të gjitha rrugëve nëpër Kosovë para se të flasim se kush e si ka vepruar me këto rrugë. Duam të ndërtojmë rrugët për Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Podujevë para se të gjejmë fajtorë në të shkuarën. Duam të flasim për termocentralin e ri me gaz, që për dyzet vjetët e ardhshëm familjeve kosovare e bizneseve vendore do t’u jepte furnizim stabil energjetik, para se të flasim se si për dyzet vjet s’është ndërtuar asnjë kapacitet i ri. Duam të flasim për spitalet tona. E shihni gjendjen aty për të kuptuar se ku gjendemi si shoqëri. E një qeveri që pret tre muaj për të emëruar një ministër shëndetësie – pra për të vënë një emër – më besoni se nuk ka as ide e as qëllim që të bëjë ndonjë ndryshim. Ne duam të flasim për barna bazike, shtretër më shumë, menaxhim që tejkalon nivelin rajonal që po na i shter qindra milionë euro në vit; dhe duam të flasim për sigurime shëndetësore që siguron dyfishim të shpenzimeve shtetërore në shëndetësi. Një kryeministër i vendit si Kosova duhet që punën e parë në mëngjes ta nisë me shëndetësi. Duam të flasim për papërballueshmërinë e qytetarëve tanë; për çmimet e larta e në rritje në vazhdimësi. Duam ta heqim menjëherë TVSH-në në produkte bazike; të zvogëlojmë koston në lëndë të parë e të sigurojmë stabilitet në çmime, të cilat janë rritur vetëm këtë vit në nivele rekord. Duam të flasim me biznese, me biznese kosovare, për të rritur investimet e tyre. Në vend të arrogancës e sulmeve ndaj secilit që dëshiron të krijojë në Kosovë, ne duam t’u hapim dyert e këtyre investimeve. Sot patriotë modernë të vendit tonë janë ndërmarrësit dhe punëtorët kosovarë që mbajnë në këmbë këtë ekonomi tonën. Me ta duam të jemi partnerë zhvillimorë.

Pyetja: Si e shihni punën e qeverisë deri tani, a mendoni se i kanë përmbushur premtimet që i dhanë para se të ishin në krye të ekzekutivit?

Abdixhiku: Në fakt, kjo qeveri përfaqëson rastin më të rëndë të ndryshimeve të qëndrimeve. Ajo nuk ka mbajtur asnjë parim, rrjedhimisht qeveris pa parime. E qeverisja pa parime, përveç se është pa rezultat e kaotike, është edhe pa përgjegjësi ndaj zgjedhësve të vet. Kjo qeveri ka premtuar Bankë Zhvillimore, Fond Sovran, Banim Social – si premtime identitare elektorale. Tash e dy vjet nuk ka as edhe një hap në këtë drejtim. E vërteta është se unë jam i lumtur që s’është bërë asnjë hap drejt projekteve të tilla të gabuara e të predestinuara për dështim; por e vërtetë e njëjtë është se këto zotime kanë qenë publike dhe një qeveri mbahet përgjegjëse për atë që premton dhe realizon.
Në anën tjetër, ka projekte të domosdoshme që s’kanë marrë asnjë vëmendje në këto dy vjet. Janë premtuar plot 160 çerdhe – ndonëse janë ndërtuar vetëm dy. Merreni me mend, dy çerdhe në dy vjet. Ende e kam të vështirë ta kuptoj se si një qeveri e tërë, me gjithë kapacitetet që ka, të mos jetë në gjendje të ndërtojë më shumë se dy çerdhe në dy vjet. Kjo qeveri ka premtuar pastërti qeverisëse, ndonëse nuk ka institucion publik të pambushur me familjarë të zyrtarëve të lartë. Madje ky familjarizëm është bërë krejt i zakonshëm tashmë. Kjo qeveri ka premtuar dhe reciprocitet me Serbinë, por sot importet nga Serbia janë në rekordet më të larta historike të 23 vjetëve të fundit. Kurrë më shumë Serbia nuk ka shitur në Kosovë sesa që shet sot. Për dy vjet nuk kemi një metër rrugë të shtruar më shumë. Nuk kemi asnjë kapacitet të ri shëndetësor, arsimor, energjetik e ekonomik. Janë dy vite të plota – dhe dy të tjera shkojnë bukur shpejt – dhe do të kemi për herë të parë një qeveri që nuk arrin të identifikohet me asnjë projekt. Me as edhe një shenjë. Së paku diçka të kishin nisur.

Si zëvendësim të punës së presupozuar, ne kemi parë një qeveri që jeton nga kriza në krizë. Krizat janë shkaktuar kryesisht si rezultat i mosveprueshmërisë me kohë. Merreni për shembull inflacionin. Refuzimi kokëfortë për heqjen e barrës fiskale në produkte bazike e lëndë të parë ka prodhuar numra rekord në rritjen e çmimeve. Në energjetikë, mosreagimi me kohë ka prodhuar reduktime në mes të verës, ndërsa dimrit, sidomos nëse kemi dimër me mot të ftohtë, do të jetë edhe më vështirë. Tash e gjashtë muaj jemi pa Bllokun A5; sepse Qeveria e Kosovës nuk ka intervenuar në këtë bllok me kohë. Në grevën në arsim, vonesa në trajtim shkaktoi humbje mësimore që s’riparohet më.

Në përgjithësi, kjo qeveri ka shkaktuar përplasje e polarizim me secilin aktor në Kosovë. Ka shkaktuar përplasje me sektorin privat, duke i quajtur në bllok pjesë të një mafie, me mësimdhënësit, duke i quajtur analfabetë, me mediat, duke i portretizuar si shërbëtorë të kapjes e me vetë spektrin politik në vend. Për fatin tonë të keq, kjo qeveri këtë stil përplasës e ka reflektuar dhe me jashtë; me aleatët tanë tradicionalë. Është e padurueshme se si me kaq shumë lehtësi iu dhurojmë kundërshtarëve tanë aleatët që na kanë qëndruar në momentet më të rënda historike.

Pyetja: Çfarë duhet të bëhet më shumë që Kosova të ketë zgjidhje në dialogun me Serbinë, liberalizim të vizave dhe anëtarësim në BE dhe NATO?

Abdixhiku: Fillimisht të besojë në veten dhe në aleatët e vet. Kosova gjendet në momente shumë të favorshme historike. Aleatët tanë kanë kthyer fokusin në Kosovë; derisa agresioni rus mbi Ukrainën iu ka dhënë kundërshtarëve tanë politikë, pra Serbisë, një terren të pafavorshëm veprues. Për Serbinë, çdo vonesë është përfitim. Për Serbinë çdo destabilitet është mundësi për shtyrje të përballjes me Kosovën në një momentum të vështirë.

Për Kosovën duhet të jetë e kundërta. Vendi ynë e ka të garantuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues në çdo përballje me Serbinë. Kjo duhet t’i mjaftojë Kosovës për t’u futur guximshëm në procesin dialogues me qëllim të përmbylljes së çështjeve me Serbinë – si dy shtete të pavarura e sovrane. Nga aty, të hapë rrugën me shtetet mosnjohëse të BE-së dhe NATO-s për të hapur e përmbyllur më pas anëtarësimin në këto dy organizata si qëllime tradicionale të popullit të Kosovës.

Dhe në këtë përballje, ne duhet të evitojmë dy gjëra, së pari të mos bëhemi palë e shkaktimit të çfarëdo situate momentale që vonon procesin dialogues, për të rënë kështu në skenarin e kundërshtarëve tanë që kërkojnë këtë vonim; dhe e dyta, të mos marrim barrën e fajësimit nga komuniteti ndërkombëtar për ndonjë dështim. Kësaj ndryshe i thonë koordinim. Koordinim i ngushtë me partnerët tanë për të shfrytëzuar një momentum historik. Fatkeqësisht ne, qeveria jonë, ka bërë pikërisht të kundërtën.

Gjendja në veri të vendit dëshmon mu këtë. Grupet kriminale të financuara e nxitura nga Beogradi po shtrijnë kontroll në territor tonin, përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë sovranitet të plotë administrativ, ligjor, komunal e të sigurisë në atë pjesë. Kjo gjendje është si rrjedhojë e moskoordinimit të ngushtë me aleatë. Prandaj kthimi në koordinim është sot i paalternativë; siç është e paalternativë ulja me guxim në tavolinën dialoguese për të kërkuar një marrëveshje përfundimtare, jo të mesme e jo fillestare me Serbinë; por përmbyllje të çfarëdo pune me ta – si dy shtete të pavarura e sovrane.

Pyetja: Çfarë ndjesie është të jesh kryetar i LDK-së?

Abdixhiku: Është privilegj i jashtëzakonshëm. Të jesh në krye të formacionit të parë demokratik, pavarësist e shtetar, është privilegj i jashtëzakonshëm. Për mua kjo detyrë është nder jetësor. Ndihem i përmbushur. Siç është dhe përgjegjësi. Sidomos përgjegjësi kur një parti si Lidhjen Demokratike e kam gjetur si të tretën në renditje dhe atë me vetëm 12%; dhe jo vetëm aq – kundërshtarët tanë politikë, katërfish më lart se ne. Kjo tani është përtej privilegjit, përgjegjësi. Përgjegjësi për të rikthyer këtë grupim politik në bazën e vet tradicionale dhe nga aty për të ndërtuar bazë të re elektorale. Sepse çdo dështim, përtej dështimit të trishtë të 14 shkurtit, do të ishte vazhdimësi e spirales.

Jam jashtëzakonisht i lumtur që bëmë hapat e duhur reformistë për t’i dhënë kthimin e madh frymës rugoviste e vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale. Ishte një test dhe burrat e gratë e LDK-së e kaluan me notë të shkëlqyeshme.

Ndihem po ashtu i lumtur që rreth vete kam individë, të përgatitur, profesionistë, të pastër e patriotë të republikës. Jam i bindur se me ta, e ardhmja jonë dhe e vetë Kosovës do të jetë e ndritur.

Pyetja: A është LDK-ja aty ku ju keni dashur të jetë prej momentit që e morët mandatin për ta drejtuar këtë subjekt?

Abdixhiku: Po. Pas ndryshimeve që morëm, pas reformave substanciale që bëmë, LDK-ja doli fituese e zgjedhjeve lokale. Sot qeverisim me 9 komuna, përfshirë dhe kryeqytetin. Pra këto janë rezultate të matshme. Të prekshme. Janë rezultate që pakkush mund t’i ketë pritur, por qytetarët vlerësuan vendimet tona si të drejta; prandaj dhe dhanë më të shenjtën e tyre – besimin.

Në çdo matje publike, që bëjnë të tjerët dhe që bëjmë ne, e kemi të qartë, shumë të qartë pasqyrën dyfishuese. Është një hapërim i madh ky. E vlerësojmë të njëjtin. Sikurse dhe votën lokale, edhe mbështetjen e dyfishuar në matje e marrim me qetësi e pa arrogancë. Ne e kuptojmë qartë mesazhin qytetar; siç e kërkojmë qartë dhe me veprime mbështetjen nga ta. Kjo mbështetje nuk na falet; por na jepet me punë dhe meritë. Dhe atë me punë të jashtëzakonshme.

Ka disa muaj që jam në terren e në komunikim me qytetarët tanë gjithandej Kosovës e në mërgatë. Por marr nga ta përshtypjet e drejta dhe të drejtpërdrejta, jo vetëm për proceset tona të brendshme politike, por edhe për sfidat, hallet e brengat që ata i kanë. Dhe zbritja e partisë në bazë, te qytetarët, është mision i imi. Do të jemi me ta, çdo ditë, për të qenë zëri i tyre sot e përfaqësuesit e tyre nesër.

Jam po ashtu i lumtur me ardhjen e shumë profesionistëve në LDK. Ekipet tona po pasurohen – me njerëz të jashtëzakonshëm brenda e me të rinj e të reja që na bashkohen nga jashtë. Ky është një tregues i punës së mirë që po e bëjmë. Dhe do të vazhdojmë këtë rrugëtim. LDK-ja e ka të qartë rrugën përpara. I ka të qarta reformat substanciale që do t’i bëjë. Në këtë rrugëtim do të jem i pakompromis sepse këtë e kërkon anëtarësia jonë e qytetarët e vendit. Kam marrë këtë detyrë, për të bërë mu këtë dhe do ta bëj pa asnjë hezitim.

Pyetja: Me cilin prej anëtarëve të LDK-së jeni më i afërt?

Abdixhiku: Nuk mund të veçoj asnjërin. Janë njerëz të jashtëzakonshëm. Në aspektin personal, për shumë nga ta ndiej nder dhe privilegj të kohës dhe punës që bëjmë bashkë.

Pyetja: Nëse nuk do të ishit politikan, me çfarë do të merreshit?

Abdixhiku: Tani unë kam pasur një profesion akademik para marrjes me politikë. Isha ligjërues i Ekonomisë. Pas përfundimit të doktoratës, kisha nisur dhe publikimin e punimeve shkencore në revista ndërkombëtare. Politika më ka detyruar të lë anash secilin angazhim tjetër. Por pa politikë, unë megjithatë kam një profesion. Dhe ligjërimin e konsideroj një ndër profesionet më të mira. Të kalosh dijen te të tjerët, studentët, është vërtet kënaqësi.

Por kam vendosur të merrem me politikë, jo për të përmirësuar statusin tim shoqëror, por si shprehje e padurimit dhe pakënaqësisë me zhvillimet shoqërore në vend. Kam lenë, sikurse plot bashkëpunëtorë të mi, një jetë shumë më të rehatshme private, për një angazhim shumë më të rëndë publik. Por sot jam i përkushtuar vetëm në politikë. Angazhimi im i vetëm sot është LDK-ja. Dhe për një kohë, mësimdhënia dhe rehatia që vjen me të duhet të presin.

Pyetja: Cili është libri që ju përshkruan juve, apo që e favorizoni më shumë?

Abdixhiku: Jam rritur si fëmijë në Bibliotekën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në zyrën e nënës së ndjerë, për të kuptuar se njeriu s’mund të ketë libër të preferuar. Mund të ketë preferenca momentale të leximit, mbi fusha të dhëna. Dhe unë kam preferenca momentale të leximit në fusha të dhëna. Kohëve të fundit kryesisht ndodhem në mes të librave të Stephen Hawking, mbi hapësirën, kohën, universin dhe vetë teorinë e kuantumit; sikurse të mitologjisë greke. Sapo kam përfunduar librin e Stephen Fry “Troja: Tregimi ynë më i madh, i ritreguar”; një përmbledhje e shkëlqyeshme e tregimeve mitologjike.

Pyetja: Si e kaloni kohën e lirë kur nuk merreni me politikë?

Abdixhiku: Në politikë, kohë të lirë ka pak. Gjithsesi provoj të gjej kohë për të përmbushur rutinën e domosdoshme jashtapolitike. Dhe në këtë rutinë jashtapolitike kam ushtrimet e fitnesit gjatë javës, terminin e futbollit të martave, daljen me miq e të afërm kur gjejmë kohë bashkë – gjithsesi pa diskutime politike me ta; siç kam – me prioritet – përcjelljen ndeshjeve të Milanos. Të dielave, kryesisht me Albinën dhe vajzat, provojmë të gjejmë një strehë vetëm për ne. Në atë kohë ndjekim ndonjë episod të shfaqjeve në Netflix; me ritme të ngadalshme gjithsesi.

Pyetja: Si e nisni ditën me familje apo direkt në punë?

Abdixhiku: Mëngjesin e hershëm e kemi së bashku. Në mëngjes i përgatisim dhe përcjellim vajzat për në shkollë. Them i përcjellim, ndonëse punën më të madhe e bën Albina. Por mëngjesi te ne është i zhurmshëm; deri sa të nisen Era e Rozi për në shkollë. Më pas, pimë kafet e mëngjesit bashkë dhe ndahemi në rrugët tona të punës.

Kjo është rutina jonë e përditshme.

Pyetja: Në cilën kohë mblidheni me familje brenda ditës?

Abdixhiku: Kur më pyesin si e ke familjen, u them si në shaka se nuk po i shoh. Por kjo është e vërteta e dhimbshme e angazhimit në politikë. Gjërat të ikin para syve. Jo rrallëherë ndodh që kthehem në mbrëmje, për t’i gjetur vajzat në gjumë. Në rastet tjera, më pak të ngarkuara, mblidhemi në mbrëmje së bashku; heqim pajisjet digjitale dhe provojmë të merremi me njëri-tjetrin.

Për mua, familja është jashtëzakonisht e rëndësishme. Koha me ta, pavarësisht kohëzgjatjes, duhet të jetë e vërtetë dhe e qetë. Brengat, problemet, ngarkesat e përditshme në atë kohë të përbashkët duhet t’i lëmë anash. Se sa ia dalim gjithherë, kjo është çështje tjetër më pas.

Pyetja: Ku jeni takuar dhe si u takuat me gruan tuaj?

Abdixhiku: Me Albinën jam takuar në verën e vitit 2008. Në vendet e zakonshme të frekuentimit të kohës në Prishtinë. Më pas u martuam në vitin 2013. Pra jemi në vitin e 15 të lidhjes; dhe jam me fat për mbështetjen që marr nga ajo në çdo sferë të jetës. Albina është shtyllë e familjes sonë; ndonëse ka angazhime të punës e profesionale po aq të rënda.

Disi ia del dhe t’i durojë gjithë brengat që i sjell në shtëpi nga politika, por dhe të më mbajë të përkushtuar në angazhimin që kam përpara.

Pyetja: A keni dëshirë që njeri prej fëmijëve tuaj të ndjekë rrugën e politikës?

Abdixhiku: Jo. Unë nuk dua të përcaktoj preferencat e angazhimit të askujt, as të fëmijëve të mi, por do të isha shumë i lumtur që ata të mos ndjekin rrugën politike. Politika, e ndershme, e pastër, e drejtë është sakrificë. Dhe shpeshherë sakrificë pa mirënjohje. Madje me Albinën që tani kemi brenga për mënyrën se si ato do të përballen me ekspozimin e gjithmbarshëm politik.

Pavarësisht punës që bën, politika të krijon kundërshtarë. Në politikën kosovare kjo kundërshti fatkeqësisht bëhet edhe më e rëndë edhe më personale. Mënyra se si fëmijët përballojnë këtë luftë të të rriturve ndaj prindërve të tyre është sfidë.

Por ndoshta dhe kjo është obligim i gjeneratës së tanishme. Të ndërtojmë vendin tonë në atë masë saqë angazhimi politik të mos ngarkojë kaq shumë përditshmërinë e qytetarëve. Pra të bëjmë një vend që, siç dhe thash më parë, është i barabartë mes kombeve evropiane. Gjeneratat e shkuara kanë pasur mision shumë më të rëndë politik. Angazhimi për liri, për pavarësi e për demokraci, sa historik e monumental, ka qenë dhe sfidë e rëndë për bartësit e saj. Dhe shoqëria kosovare, çdo sferë e kësaj shoqërie, ka bartur këtë përgjegjësi. Sot e kemi shumë më lehtë. Sfidat janë natyrisht më të ndryshme, por pozicioni ynë është pakrahasueshëm më i lehtë. Sot kemi liri, siç dhe kemi shtet. Mbi këtë shtet, duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë – në mënyrë që gjenerata tjetër të mos ketë nevojë të ndryshojë profesion sepse gjërat nuk po shkojnë mirë.

Jam i bindur se do t’ia dalim. Kosova, shoqëria jonë, ka arritur të gjejë rrugën e saj gjithherë./Klankosova.tv

You may also like