INTERVISTA / “Po i kthejmë fëmijët në njerëz që veprojnë në mënyrë robotike”

by admin
Spread the love

Nga Diana Oliver

Momo, personazhi i krijuar nga shkrimtari Michael Ende, kishte një dhunti: dinte të dëgjonte. Njerëz nga të gjitha anët shkonin në amfiteatrin e vogël ku vogëlushes i pëlqente të fliste, kjo derisa mbërritën burrat ngjyrë gri që ua vodhën kohën njerëzve për të biseduar.

Sipas psikologes dhe profesoreshës së edukimit të Universitetit të Harvardit, Rebecca Rolland, 43 vjeçe, diçka e ngjashme ndodh sot, veçanërisht me fëmijët tanë. “Ne bëjmë biseda logjistike sipërfaqësore, ndërsa shpenzojmë pak kohë në biseda më të thella në të cilat dëgjojmë plotësisht tjetrin”- thotë ajo. Rolland, që është njëkohësisht eksperte e gjuhës së folur dhe të shkruarit në departamentin e neurologjisë në Spitalin e Fëmijëve të Bostonit, botoi vitin e kaluar librin e saj të ri “Arti i të folurit me fëmijët”.

Në këtë libër, autorja argumenton se nëse përfitojmë nga bisedat e vogla të përditshme dhe i eliminojmë “hajdutët e kohës” – termin që ajo përdor në librin e saj për t’iu referuar abuzimit

me teknologjinë – këto biseda shërbejnë si një mundësi e madhe për mësimin dhe zhvillimin e krijimtarisë. Por në këtë proces ne do të forcojmë lidhjet tona me fëmijët tanë.

Pse mendoni se na duhet një manual për të folur me fëmijët?

Ne të gjithë duam më të mirën për fëmijët tanë dhe tek e fundit për shoqërinë ku jetojmë.

Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën për ta arritur këtë: i çojmë në aktivitete, bëjmë detyrat e shtëpisë me ta, shkojmë në ngjarjet që ata organizojnë në shkollë etj.

Por ne nuk kemi parasysh çelësin më të rëndësishëm të zhvillimit të tyre: bisedat që bëjmë me ta çdo ditë. Shpeshherë këto biseda janë logjistike. Ata janë shumë të përqendruara tek mënyra se si do të kalojmë nga një vend në tjetrin, cilat janë oraret tona, dhe në përgjithësi se si e kalojmë ditën.

Studimet thonë se nëse i përdorim këto biseda të përditshme si një mundësi të madhe për të mësuar, për nxitjen e kreativitetit tek fëmijët, si dhe për përforcimin e lidhjes, këto biseda mund të jenë shumë më efektive, dhe ne mund ta përmirësojmë jetën tonë. Unë shpresoj që ky manual t’i ndihmojë prindërit ta bëjnë këtë.

Sa të shkëputur jemi ne të rriturit nga fëmijëria?

Unë mendoj se me jetën tonë tejet të ngarkuar me punë, ne i kushtojmë shumë rëndësi arritjeve të fëmijëve, por shpeshherë harrojmë se si është të jesh fëmijë. Ajo që na jep shpresë, është se kemi një mundësi të shkëlqyer, sepse fëmijët janë të mrekullueshëm për të folur.

Ata kanë një mënyrë të natyrshme për të luajtur dhe mrekulluar, dhe e shohin botën nga një këndvështrim shumë i ndryshëm. Ne e kemi harruar këtë sepse kemi mësuar shumë për botën. Për shembull, fëmijët pyesin shpesh: pse nuk bëhemi gjithnjë e më të rinj, ose çfarë

do të ndodhte nëse do të jetonim në Mars? Ne të rriturit harrojmë t’i bëjmë këto pyetje të rëndësishme, dhe duke kaluar më shumë kohë me fëmijët dhe folur më shumë me ta, jo

vetëm që i ndihmojmë ata, por ri-zgjojmë aftësinë tonë për t’u habitur.

Kanë kaluar vetëm 50 vjet që nga botimi i librit “Momo” nga Michael Ende. Kur e lexon të duket si një parandjenjë e shumë gjërave që po përjetojmë sot… E kush do të thoshe se janë burrat gri, ata që na vjedhin sot kohën?

Ka shumë gjëra që ua vjedhin kohën fëmijëve. Kjo pjesërisht sepse ne i mbushim oraret e tyre me kaq shumë gjëra për të bërë. Në vend se të bisedojmë me ta, i ngarkojmë me përvoja dhe nuk u japim kohë për të reflektuar. Ne po i kthejmë në njerëz që veprojnë në mënyrë robotike.

Në këtë mënyrë ata nuk janë njerëz krijues dhe nuk ndjekin interesat e tyre. Një tjetër problem është se ka fëmijë që janë shumë të fokusuar tek mediat sociale dhe duke përdorur internetin. Sigurisht, teknologjia mund të përdoret mirë me fëmijët. Por kur ata janë shumë të përqendruar tek interneti, nuk e kuptojnë se sa kohë shpenzojnë për ta bërë këtë.

Për shembull, unë njoh një rast kur një fëmijë ndërvepronte vetëm përmes rrjeteve sociale. Dhe mendoj se nuk mund t’i lëmë ata t’i humbin ato përvoja si fëmijë dhe të lejojmë që jeta e tyre të fokusohet vetëm në pëlqimet që marrin në rrjetet sociale.

Në librin tuaj ju theksoni se shoqëria dëshiron që fëmijët të rriten shumë shpejt. A është kjo një simptomë e asaj se si po jetojmë?

Sot ne jetojmë në një kulturë që është shumë e fokusuar tek performanca dhe efikasiteti. Por ne duhet të kuptojmë se zhvillimi i fëmijëve ndodh gradualisht. Fëmijët përfitojnë më shumë nga aktivitetet që lidhen me lojërat dhe zbulimin, gjë që u jep mundësi të zbulojnë gjëra për veten e tyre sesa ne t’u mësojmë shumë gjëra, sidomos nëse ata nuk janë gati për to.

Pra, nëse u bëjmë shumë presion në fillim, priren të kenë ankth sepse nuk janë gati për gjërat që ne po bëjmë. Po ashtu ata ndjejnë stresin që përjetojmë ne prindërit; ne e transferojmë atë. Është e rëndësishme që të rivendosim dhe respektojmë ritmet e tyre natyrore të zhvillimit.

Në libër, ju këshilloni prindërit të gjejnë kohë për të folur me vëmendje me fëmijët e tyre. Si ndihmon në zhvillimin e fëmijëve një bisedë e tillë?

Ajo është shumë e rëndësishme. Përbën një ndryshim thelbësor të mënyrës se si fëmijët zhvillohen dhe lidhen me ne. Sepse ne krijojmë momente të vogla për fëmijët që ndërtohen me kalimin e kohës dhe kjo ndërton mirësinë, besimin dhe kreativitetin e tyre.

Ne i frymëzojmë ata që të mendojnë vetë dhe ta kuptojnë se ata kanë vërtet ide të mira, se reflektimet, kontributet e tyre janë të vlefshme, dhe se ata duhet të vazhdojnë në atë rrugë. Mendoj se tani jemi në një krizë në këtë aspekt. Fëmijët ndihen shumë të izoluar, ndonjëherë të dëshpëruar ose të stresuar. Ndaj kemi nevojë për ato bisedat tona të vogla me ta për ta thyer këtë cikël.

Konkretisht si mund të ndryshojmë qasje me bisedat tona? Cilat janë rekomandimet tuaja?

Unë do të filloja me leximin e gjërave interesante. Është fantastike ta bësh këtë gjë me fëmijët për 5 ose 10 minuta dhe disa herë gjatë ditës. Pavarësisht sesa vjeç janë, ne ulemi pranë tyre dhe i shohim se çfarë janë duke bërë. Në këtë mënyrë e dimë se çfarë u pëlqen, çfarë u intereson apo jo. Ndoshta një fëmijë po luan me guralecë, dhe një adoleshent luan video-lojëra. Ulja pranë tyre na ndihmon të kuptojnë se çfarë bluajnë në mendje. Çfarë u pëlqen, çfarë i magjeps. Pastaj u bëjmë pyetje rreth pasionit që kanë.

A dimë se si të dëgjojmë?

Mendoj se dëgjimi është padyshim një nga sfidat më të rëndësishme. Shpeshherë ne nuk dëgjojmë shumë mirë, dhe shpesh nuk i mësojmë fëmijët të dëgjojnë mirë ose në mënyrë efektive. Ndonjëherë, ne mendojmë se po dëgjojmë, por në fakt mendja jonë është diku

tjetër. Nëse i mësojmë fëmijët të dëgjojnë, ata do të jenë më në gjendje të dëgjojnë bashkëmoshatarët e tyre, ne dhe mësuesit. Në këtë mënyrë, mund të krijojmë një kulturë shumë më të gjerë komunikimi.

A ka ndonjë teknikë për t’i tërhequr vëmendjen një fëmije që nuk dëgjon?

Po. E para është humori. Nëse mendoj se fëmija im nuk po më dëgjon, mund të them diçka për të qeshur që nuk ka të bëjë me bisedën, dhe të shoh se sa kohë duhet që ata të kuptojnë se kam thënë diçka pa kuptim. Për shembull, nëse jeni duke folur për detyrat e shtëpisë dhe papritmas nisni të flisni për elefantët, mund të përpiqeni të matni me mend se sa kohë i duhet fëmijës për të kuptuar se ju nuk po flisni për të njëjtën gjë.

Një ide tjetër është t’i kërkoni dikujt të përsërisë atë që po thoshe pak më herët. “Nëse po më dëgjoni vërtet, më tregoni atë që keni dëgjuar”- dhe më pas më bëni një pyetje. Shumë herë nuk e bëjmë këtë. Ne nuk i mësojmë fëmijët të bëjnë pyetje të tilla. Mendoj se mësimi i fëmijëve për të bërë këto lloj pyetjesh, është një mënyrë e mrekullueshme për t’i mësuar ata që të dëgjojnë. / “El Pais” – Bota.al

You may also like