Interi nuk gabon, zikaltërit marrin një fitore pa shkëlqim përballë Spezias

by admin
Spread the love

Interi kalon me sukses edhe pengesën me emrin Spezia dhe merr fitoren e tretë radhazi në kampionat. Një sukses që ngjit skuadrën e Inzaghit përkohësisht në vend të parë dhe mban në lojë zikaltërit në garën për titullin kampion në Serie A.

Ndonëse nuk kanë shkëlqyer në “Picco”, kampionët e Italisë kanë arritur të mposhtin 3-1 Spezian në ndeshjen hapëse të javës së 33-të të Serie A. Brozovic ka zhbllokuar sfidën në pjesën e parë, ndërsa Lautaro ka shënuar në pjesën e dytë. Spezia zgjohet vonë dhe goli i Maggiore rihap ndeshjen, Sanchez vulos sfidën në fund.

Sfida e stadiumit “Picco” mes Spezias dhe Interit ka hapur javën e 33-të të kampionatit italian në Oversport dhe Tibo. Vendasit shfaqen rrezikshëm që në minutat e para me Gyasi, ndërsa zikaltërit përgjigjen me dy tentativa nga larg zonës të Calhanoglu.

Me kalimin e minutave Interi fillon të dominojë dhe arrin të zhvllokojë sfidën pas 30 minutave lojë me Brozovic, që shënon një gol të bukur. Skuadra e Inzaghit luan më mirë dhe në minutat e fundit të pjesës së parë Dumfries humbet një mundësi të mirë për të shënuar golin e dytë.

Spezia nis më mirë pjesën e dytë. Provon Manaj por gjuajtja e tij është e dobët dhe pritet nga Handanovic. Erlic i afrohet golit të barazimit, por gjuajtja e tij me kokë përfundon jashtë.

Interi reagon dhe kërkon golin e sigurisë, por Perisic dhe Barella shpërdorojnë. Spezia mundohet të baraspeshojë sfidën, por gjuajtja e Nzola devijohet dhe përfundon jashtë.

Lautaro provon dy herë, por nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Në tentativën e tretë argjentinasi nuk fal më dhe shënon golin e dytë për zikaltërit. Interi dominon dhe rrezikon me Sanchez, por Provedel bllokon gjithçka.

Zikaltërit kërkojnë të shënojnë edhe golin e tretë, ndërsa Spezia mundohet që të rihapë ndeshjen. Maggiore shënon një supergol, duke i dhënë shpresë skuadrës vendase. Është minuta e 88-të dhe sfida bëhet interesante.

Spezia hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit, por janë zikaltërit ata që shënojnë me Sanchez, që vulos përfundimisht këtë takim. Mbyllet 1-3 dhe Interi merr një fitore me vlera në luftën për titullin kampion.

Foto: Inter Twitter

You may also like