India ndalon eksportin, panik për oriz në supermarketet e SHBA dhe Kanadasë

by admin
Spread the love

Një panik është shkaktuar në SHBA pas vendimit të Indisë të enjten, për të ndaluar eksportet e orizit në një përpjekje për të qetësuar rritjen e çmimeve vendase dhe për të frenuar çmimet e larta të ushqimeve.

Vendimi u mor nga qeveria e Indisë për të mbrojtur tregun e brendshëm nga rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve duke siguruar mjaftueshmërinë e orizit për qytetarët indianë. Është një vendim që tashmë ka shkaktuar bujë tek konsumatorët, veçanërisht tek indianët që jetojnë në SHBA dhe Kanada, të cilët nxituan të zbraznin raftet e supermarketeve, duke parashikuar një të ardhme të zymtë në tregun global të orizit dhe rritje alarmante të çmimeve të ushqimeve.

Në këtë kontekst, ulja e ofertës globale të varieteteve të ndryshme të orizit të bardhë (përveç orizit basmati) mund të fryjë edhe më tej çmimet, të cilat janë rritur pas pushtimit rus të Ukrainës dhe ndryshimeve klimatike që kanë prekur të korrat në mbarë botën.

Pasi u mor vesh vendimi i qeverisë indiane, një kaos mbizotëroi në supermarketet e shteteve të ndryshme të SHBA-së. Njerëzit po vërshojnë nëpër dyqane për të blerë pako, madje edhe thasë të tërë, me oriz, pasi kanë frikë nga rritja e çmimit të këtij produkti.

Vendet e prekura do të detyrohen t’u drejtohen furnizuesve alternativë në rajon, si Tajlanda dhe Vietnami, thonë ekonomistët, gjë që do të ndryshojë zinxhirin e furnizimit dhe do të shkaktojë luhatje të mprehta të çmimeve.

Sipas Ministrisë së Çështjeve të Konsumatorit, orizi i bardhë përbën rreth 25% të eksporteve të orizit të vendit me Indinë që është një nga vendet kryesore eksportuese të orizit, duke zënë 40% të eksporteve globale.

Në të njëjtën kohë, kompania analitike bujqësore Gro Intelligence në një raport të fundit të publikuar përpara se ndalimi të shpallej zyrtarisht, parashikoi se kufizimi i furnizimit ka të ngjarë të përkeqësojë pasigurinë ushqimore për vendet që varen shumë nga orizi.

“Importuesit kryesorë të orizit indian janë Bangladeshi, Kina, Benini dhe Nepali, me disa vende të tjera afrikane që importojnë gjithashtu sasi të mëdha”, shkruajnë analistët e Gro Intelligence.


Top Channel

You may also like