I kishin fshehur në tavanin e autobusit, sekuestrohen mbi 121 mijë Euro në Durrës – Shqip

by admin
Spread the love

Policia ka sjellë informacion zyrtar për sasinë e parave që bllokoi një ditë më parë në portin e Durrësit.

Uniformat blu thonë se në total janë sekuestruar 121 680 Euro. Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar në flagrancë pronari i autobusit ndërsa është proceduar penalisht shoferi.

“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard Nikolli, 44 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 34 vjeç, të dy banues në Durrës”, njoftoi policia.

Policia thotë se ka pasur informacione se në një autobus po transportohej një shumë e konsiderueshme eurosh me qëllim shmangien e deklarimit të tyre. Duke përdorur edhe qenin e specializuar për kontrolle të tilla, policia zbuloi se paratë ishin fshehur në tavanin e autobusit.

“Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, njoftoi policia./tvklan.al

You may also like