Hoti: VV-ja mashtroi popullin për 15 vjet duke i kundërshtuar marrëveshjet që sot pranon t’i zbatojë

by admin
Spread the love

Deputeti Avdullah Hoti e ka akuzuar edhe njëherë Lëvizjen Vetëvendosje për mashtrim ndaj popullit të Kosovës për 15 vjet, duke thënë që  i kanë kundërshtuar të gjitha marrëveshjet nga qeveritë e kaluara, e që tash po i pranojnë ato.

“LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Forca politike që udhëheq me vendin i ka mashtruar qytetarët për 15 vite, sepse e ka kundërshtuar Planin e Ahtisarit që ka sjellë pavarësinë, e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që ka trasuar rrugën e integrimit evropian të Kosovës, e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e cila e ka sjellë njohjen nga Izraeli dhe përfitime të tjera, e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht thirrjes nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së për të mbështetur atë, e sot e konsideron demarkacionin si çështje të kryer, i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet e dialogut në 10 vitet e fundit, disa prej të cilave kanë mundësuar shtrirje të sovranitetit në të gjithë territorin e vendit dhe i kanë siguruar Kosovës prezencë në forume ndërkombëtare, e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e parimeve të vitit 2015, e cila siguron zbatim të Kushtetutës së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013”.

Hoti tha se tani Lëvizja Vetëvendosje po pranon t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, duke potencuar edhe njëherë që partia e tij është kundër mashtrimit dhe pro shtetit kosovar.

“Ndërkaq, tani e njëjta forcë politike pranon të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake dhe thirret në elemente specifike të atyre marrëveshje që sigurojnë kushtetutshmërinë në zbatim”.

“LDK-ja është kundër mashtrimit”.

“LDK-ja është për shtetin e Kosovës”.

“LDK-ja është për ruajtje të partneritetit me miqtë”.

You may also like