Hoti: Padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie

by admin
Spread the love

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur , Andin Hoti, ka reaguar pas kritikave që ka bërë udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, në një intervistë publikuar sot në Ekonomia Online.

“Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme”, shkruan Hoti.

Mirëpo, ai thekson se padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë.

REAGIMI I PLOTË:

Sot në media janë transmetuar disa deklarata të z. Bajram Qerkini nga artikulli me titull “Qerkini thotë se Qeveria nuk ka plan-program për të pagjeturit: Kurti na takoi veç për vota”, ndaj të cilit, edhe pse nuk do të doja asnjëherë, s’mundem pa i thënë disa fjalë.

Në kuadër të lutjeve të mia të vazhdueshme publike po e përsëris edhe një herë: që grupet politike, mediat apo individë me agjenda të caktuara, të mos e përdorin çështjen e të pagjeturve për interesa politike apo të çfarëdo lloji tjetër, sepse është joetike, e pamoralshme dhe fyese për këtë plagë ende të hapur të shoqërisë tonë.

Që, tendenca e barazisë së kriminelit me viktimen, është e pafalshme, dhe nuk do të lejohet asnjëherë!

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur nuk është një pozitë për ta afirmuar veten apo për të bërë avokatin e kryeministrit Kurti, por e vërteta është më komplekse dhe më brutale.

Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme.

Mirëpo, padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë.

Baci Bajram e din mirë këtë, sidomos duke pasur parasysh se ai e drejton Qendrën Burimore Multietnike në Mitrovicë.

Me gjithë përpjekjet e institucioneve tona dhe organizatave e partnerëve ndërkombëtarë, Serbia vazhdon ta keqpërdorë këtë çështje për motive politike.

Ende sot, 22 vjet pas luftës, sfidë kryesore e këtij procesi është mungesa e informacioneve të besueshme lidhur me fatin e më të dashurve tanë.
Ende sot, 22 vjet pas, Serbia vazhdon t’i mbajë të fshehura krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë zhdukjen me dhunë të njerëzve tanë.

Prandaj, fajësimi i njërës apo tjetrës Qeveri në Kosovë është i padrejtë, dhe mund të jetë vetëm i nxitur nga motive të caktuara.

Ndërkaq, tendenca e faturimit të 22 viteve në pesë muajt e angazhimit tim si kryesues, jo vetëm që është e padrejtë dhe e papranueshme, por duke pasur parasysh takimet e shpeshta e punën e përbashkët, është edhe joetike.

Për hir të opinionit publik dua t’i them edhe disa fakte:

  • Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (përmes Grupit Punues) nuk është ndalur asnjëherë. Gjashtë takime të Nëngrupeve Punuese janë mbajtur vetëm gjatë muajve Shtator – Tetor;
  • Dy takime rajonale multilaterale janë mbajtur gjatë muajve Nëntor – Dhjetor;
  • Zbardhja e fatit të personave të zhdukur po vazhdon të mbahet peng nga Serbia e cila edhe më tutje s’po tregohet e gatshme ta trajtojë këtë çështje ashtu siç është në të vërtetë, si humanitare, duke i dhënë informacionet për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë;
  • Në katër takimet e mbajtuara në Bruksel gjatë këtij viti, në secilin prej tyre është trajtuar me prioritet çështja e personave të zhdukur me dhunë;
  • Avokimi i paqëllimshëm i z. Çërkini ndaj Odaloviçit për mos mbajtje të takimeve të Grupit Punues është i dëmshëm;
  • Është theksuar disa herë nga Kryeministri Kurti, po e përsëris edhe unë: NUK KA dhe NUK DO TË KETË marrëveshje për normalizimin e marrrëdhënieve me Serbinë pa zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur me dhunë;
  • Janë mbajtur dhjetëra takime të Komisionit me shoqatat e familjarëve, duke përfshirë edhe Qendren Burimore multietnike të z. Bajram Çerkini.
    Të gjitha shqetësimet e tyre janë adresuar; Kryeministri Kurti ka qenë i pranishëm në aktivitetin tonë të raportimit vjetor, në të cilin kanë marrë pjesë edhe shoqata të familjarëve dhe ka qenë i ftuar edhe z. Çerkini;
  • 25 identifikime janë bërë gjatë këtij viti;
    Në dy rivarrimet e fundit, në Rrezallë dhe në Mitrovicë, ka marrë pjesë edhe Kryeministri Kurti bashkë me z. Çerkini;

Sidoqoftë, qëllimi i vetëm i KQPZH dhe i familjarëve është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, i prezantuar disa herë në takime dhe në media.
Adresimi i sfidave është plani ynë primar.
Marrja dhe trajtimi i informacioneve të besueshmë, trajtimi i lokacioneve të dyshuara për varreza masive dhe individuale në teritorin e Kosovës dhe në Serbi, trajtimi i eshtrave të paidentifikuara që gjenden në Morgun e Prishtinës, presioni i shtuar ndaj Serbisë përmes formave të ndryshme, në takimet dypalëshe, multilaterale, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe përmes shteteve mike si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, etj.

Në fund po e përsëris: Duke bashkëndjerë dhimbjen me z. Çerkini dhe të gjithë familjarët e tjerë që kanë vuajtur shumë duke kërkuar më të dashurit e tyre, ju siguroj për përkushtimin dhe angazhimin e pandalshëm të institucioneve shtetërore në zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë.

You may also like