Holanda “poker” kundër Skocisë, Kuman i kënaqur: Jemi OK, por ka vend për përmirësim

by admin
Spread the love

Holanda ka shfaqur forcën e saj dhe kandidaturën për të thënë fjalën e vet në “Euro 2024” me një fitore mbresëlënëse kundër Skocisë, të premten në mbrëmje në Amsterdam.

Ndonëse në fund të ditës mbetet një miqësore, me Holandën dhe Skocinë që do të jenë të dyja në Gjermani për Kampionatin Europian, takimi i djeshëm ka krijuar disa përshtypje të para. Skuadra e Ronald Kuman ka triumfuar me një fitore të madhe 4-0, të çelur nga milanisti Reijnders në pjesën e parë dhe të rrumbullakosur nga Vajnaldum, Veghorst dhe Malen në 45 minutat e dyta.

DIFERENCA – Në fakt ndeshja nuk ka nisur dhe aq mirë për Holandën, pasi ka qenë skuadra mike që është shfaqur më mirë. Në tërësi Skocia është shfaqur më e rrezikshme, duke iu afruar dhe golit, madje duke goditur dhe shtyllën, por ashtu si me magji në fundin e pjesës së parë ka qenë Holanda që ka kaluar në epërsi. Lojtari i Milanit Tixhani Reijnders ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Holandës, një gol i mrekullueshëm me një gjuajtje nga rreth 25 metra larg. Praktikisht ka qenë goli i tij që ka bërë diferencën mes dy ekipeve.

SHPËRTHIMI – Me shumë gjasa, Ronald Kuman diçka do u ketë thënë lojtarëve të tij në pushimin mes dy pjesëve, sepse në të dytën Holanda është krejt tjetër në fushë. Skocia megjithatë nuk duket e dorëzuar dhe tenton të vërë në vështirësi Holandën, në kërkim të golit të barazimit. Dhe i afrohet me Shankland, që për të dytën herë në mbrëmje, godet shtyllën në një rast tek për tek me portierin e Holandës. Skocia e paguan shtrenjtë këtë mundësi të artë, teksa Vajnaldum në të 72-ën dyfishon shifrat. Këtu mbaron gjithçka, sepse Skocia dorëzohet dhe Holanda nuk fal duke shënuar dhe dy herë të tjera me Veghorst dhe Malen, që rrumbullakosin triumfin e Holandës.

KUMAN – Trajneri i Holandës, Ronald Kuman ka folur pas takimit duke vënë në dukje paraqitjen e ekipit veçanërisht në pjesën e dytë. “Mendoj se ka qenë një fitore e merituar. Skocia na ka vënë në vështirësi, veçanërisht në pjesën e parë ku nuk kemi luajtur mirë. Në të dytën jemi shfaqur shumë më të rrezikshëm. Analizën ndoshta duhet ta nisim nga pjesa e dytë ku skuadra më pëlqeu. Mendoj se ishte një test mjaft i vlefshëm për ne, pasi Skocia ka një skuadër të fortë dhe me cilësi”, tha Kuman.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

You may also like