HISTORI – JFK alias arti i fjalimit politik

by admin
Spread the love
UASHINGTON, 22 nëntor /ATSH-AFP/ – Gjashtëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, rëndësia e veprimeve politike të ish-presidentit amerikan, John Kennedy i përçan ende historianët.
Por, qëndrimi për fjalimet e tij është unanim.
Fjalimet e John F. Kennedy, të skalitura në kujtesën e njerëzve, zënë një vend të zgjedhur në historinë amerikane dhe më gjerë.
Në majën e koleksionit të fjalimeve të JFK-së, burim frymëzimi për shumë prej pasuesve të tij në Shtëpinë e Bardhë, është edhe ai i marrjes zyrtare të detyrës prej tij, më 20 janar 1961.
Në një mot të akullt, nën një qiell blu pa re, presidenti i ri u bën thirrje “bashkëpatriotëve të tij amerikanë” dhe “bashkëqytetarëve të botës” të luftojnë kundër armiqve të përbashkët të njeriut, “tirania, varfëria, sëmundja dhe vetë lufta”.
“Mos pyesni se çfarë mund të bëjë për ju vendi juaj, por pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj. Mos pyesni se çfarë mund të bëjë Amerika për ju, por se çfarë mund të bëjmë së bashku për lirinë e njeriut”.
Këto pak fjali, që bënë xhiron e botës, janë shkruar në gurin e varrit të presidentit të vrarë, në varrezën ushtarake të Arlingtonit, në Virxhinia.
Teksti figuron në vendin e dytë të klasifikimit të 100 fjalimeve më të famshme amerikane të shekullit XX, i realizuar në vitin 1999 nga një ekip historianësh, pikërisht pas “I have a dream” (“Unë kam një ëndërr”) të Martin Luther King.
Më 25 maj 1961, përpara Kongresit, Kennedy paraqet sfidën e tij hapësinore, në një Amerikë ende të traumatizuar nga lëshimi i satelitit sovjetik ”Sputnik”.
“Kombi ynë duhet të angazhohet për të dërguar një njeri në Hënë përpara përfundimit të kësaj dekade”, tha ai.
Më 10 qershor 1963, në Universitetin Amerikan të Uashingtonit, disa muaj pas krizës së raketave të Kubës, ai njofton bisedime me Moskën për ndalimin e provave bërthamore në një fjalim të madh për paqen.
“Nuk ka çështje të fatit njerëzor që nuk mund të zgjidhen nga njeriu”, tha Kennedy.
“Ich bin ein Berliner” (“Unë jam berlinez”) më 26 qershor 1963, në Berlin, në pikun e Luftës së Ftohtë, JFK hedh mesazhin e shpresës, gati dy vjet pas ndërtimit të Murit.
“Të gjithë njerëzit e lirë, kudo ku ata jetojnë, janë qytetarë të Berlinit”, shprehet ai përpara një turme të pamatë.
Aftësia për të kuptuar shqetësimet dhe shpresat
Çdo herë, presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara tregon, përtej një karizme të pamohueshme, aftësinë e tij për të kuptuar frikërat, ankthet, por edhe shpresat e bashkëmoshatarëve të tij.
“Këto fjalime ishin jo vetëm të skalitura dhe të thëna kur duhet, por momenti i zgjedhur ishte çdo herë ato ishin të përkryera. Ai kishte me të vërtetë talent për të kuptuar një moment historik”, thotë përmbledhtazi historiani Thurston Clarke, autor i një libri për fjalimin e tij kur mori zyrtarisht detyrën (“Ask Not”).
”Duke marrë prej tij aliteracionin, ritmin dhe referencën, Richard Nixon, Ronald Reagan, Bill Clinton dhe George W. Bush janë frymëzuar prej fjalimeve të presidentit katolik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, bën të ditur ai.
Në krah të JFK-së, “ky tru i pajisur mrekullisht me një shpejtësi ekstreme”, sipas fjalëve të shkrimtarit francez Romain Gary, një njeri luan një rol kyç: Ted Sorensen.
“Speechwriter”, por edhe këshilltari kryesor i Kenedit në Shtëpinë e Bardhë, ai ishte një penë e çmuar.
E vështirë të zgjidhësh mosmarrëveshjen e ekspertëve lidhur me autorësinë e kësaj apo asaj formule, por bashkëpunimi i vërtetë intelektual mes dy burrave ishte vendimtar.
“Një nga sfidat kryesore të një speechwriter-i (shkrues fjalimesh) është të ketë mundësi të hyjë tek presidenti, të jetë i pranishëm në mbledhjet ku merren vendimet për të kuptuar gjendjen e tij shpirtërore. Tedi nuk e kishte këtë problem”, thekson Adam Frankel, i cili ka bërë pjesë në ekipin e ngarkuar me fjalimet e Obamës dhe ka punuar me Sorensenin.
I kujdesshëm për imazhin e tij, Kennedy kishte punuar vazhdimisht për diksionin, kishte studiuar regjistrimin e fjalimeve të Churchillit.
Por, për ironi të historisë, vendi shqetësues i fjalimeve të tij në trashëgiminë e tij ndoshta mund ta kishte zhgënjyer.
“Sigurisht, që ai donte që ta kujtonin për fjalimet e tij, por ai nuk kishte shumë konsideratë për presidentët të cilët kishin si objektiv të vetëm ndryshimin e klimës intelektuale të vendit”, thekson historiani Jeff Shesol, i cili ka qenë speechwriter-i i Bill Clintonit.
I zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë pas dy dështimeve radhazi të demokratit Adlai Stevenson, me imazhin e intelektualit pak të larguar nga realiteti “Kennedy dhe ky brez demokratësh mendonin se mund të ktheheshin më tepër drejt veprimit”.
“Ai donte që gjërat të lëviznin”, shprehet ai./ /irmapu/ a.jor.

The post HISTORI – JFK alias arti i fjalimit politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

You may also like