HISTORI – 78 vite më parë Churchill mbajti fjalimin për Perden e Hekurt

by admin
Spread the love

TIRANË, 5 mars /ATSH/ – Fjalimi i ashtuquajtur i Perdes së Hekurt, u mbajt nga ish-kryeministri britanik, Winston Churchill në Fulton, Misuri, më 5 mars 1946, ku ai theksoi domosdoshmërinë që SHBA dhe BM duhej të vepronin si roje të paqes dhe stabilitetit kundër kërcënimit komunist sovjetik, i cili kishte ulur një ”Perde të Hekurt” në të gjithë Evropën, sipas britannica.com.

Termi “Perde e Hekurt” ishte përdorur si metaforë që nga shekulli XIX, por Churchill e përdori atë për t’iu referuar në mënyrë specifike pengesës politike, ushtarake dhe ideologjike të krijuar nga BRSS pas Luftës së Dytë Botërore.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit dhe strategët politikë britanikë dhe amerikanë ishin skeptikë ndaj ambicieve gjeopolitike të aleatit të tyre, Bashkimit Sovjetik.

Që në maj të vitit 1945, kur lufta me Gjermaninë kishte përfunduar, Churchill – të cilin elektorati britanik së shpejti do ta zëvendësonte si kryeministër me Clement Attlee në mes të Konferencës së Potsdamit – kishte parashikuar që pjesa më e madhe e Evropës Lindore do të tërhiqej nën ndikimin e sferës sovjetike.

Sipas pikëpamjes së Churchillit, politikat sovjetike ofronin pak mundësi për një vendosje të suksesshme të paqes në vitet në vijim.

Diplomati amerikan George Kennan doli në një përfundim të ngjashëm dhe u bë arkitekti i politikës së “frenimit”.

Ai argumentoi se sovjetikët ishin të vendosur për të përhapur komunizmin në të gjithë botën dhe ishin rrënjësisht kundër bashkëjetesës me Perëndimin.

Ndërsa ai dyshonte në efikasitetin e mundshëm të përpjekjes për të pajtuar dhe qetësuar sovjetikët, Kennan ishte i bindur se ata e kuptonin logjikën e forcës ushtarake dhe do të zbusnin ambiciet e tyre kur të përballeshin me kundërpresionin e vendosur nga Perëndimi.

Në shkurt 1946, me ftesë të Trumanit, Churchill, që nuk ishte më kryeministër, udhëtoi për në Kolegjin Westminster në Fulton, Misuri, ku mbajti një fjalim në të cilin paralajmëroi amerikanët për zgjerimin sovjetik, duke thënë se një “Perde e Hekurt” kishte zbritur në të gjithë kontinentin evropian.

Churchill propozoi krijimin e një marrëdhënieje të veçantë hiperndërthurëse midis SHBA dhe Komonuelthit si një kundërforcë ndaj ambicieve ekspansioniste sovjetike në Luftën e Ftohtë të sapolindur.

Në të njëjtën kohë, Churchill theksoi rëndësinë kryesore të rritjes së integrimit evropian, duke paralajmëruar kështu bashkëpunimin që përfundimisht do të çonte në themelimin e Bashkimit Evropian.

”Siguria e botës, zonja dhe zotërinj, kërkon një unitet të ri në Evropë nga i cili asnjë komb nuk duhet të jetë i përjashtuar përgjithmonë”, tha ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like