Gjeti copa të dronit rus në territorin e vet, Rumania thërret në takim diplomatin rus

by admin
Spread the love

Anëtarja e NATO-s, Rumania, tha sot se e ka thirrur në një takim të ngarkuarin e Rusisë me punë në Bukuresht, pas gjetjes së copëzave të një droni të ngjashëm me dronët që përdoren nga ushtria ruse.

Ushtarët rumunë gjetën të shtunën copëzat e dronit në zonën Plauru në kontin Tulcea, përgjatë kufirit me Ukrainën. Sekretari i Shtetit Lulian Fota u takua me diplomatin rus të shtunën për t’ia përçuar “protestën e Rumanisë kundër shkeljes së hapësirës rumune”, tha më 10 shtator Ministria e Jashtme e Rumanisë.

Ajo shtoi se Fota “i kërkoi me vendosmëri palës ruse që t’i ndalë veprimet kundër popullatës dhe infrastrukturës ukrainase, përfshirë ndaljen e veprimeve që do ta kërcënonin në çfarëdo mënyre sigurinë e qytetarëve rumunë në rajon”.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, dhe shefi i NATO-s, Jons Stoltenberg, folën të shtunën për këtë çështje gjatë një bisede telefonike.

Stoltenberg tha në X, rrjetin social të njohur si Twitter dikur, se “nuk ka indikacione për qëllime për ta sulmuar NATO-n, por këto sulme janë destabilizuese”.

Ai e mirëpriti vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar më shumë avionë luftarakë F-16 për patrullime ajrore të NATO-s. Iohannis e tha se “ndodhi një shkelje e papranueshme e hapësirës ajrore sovrane të Rumanisë”.

Rumania i ka rritur masat për ta forcuar vëzhgimin e sigurisë së hapësirës ajrore, pas sulmeve të vazhdueshme ruse përgjatë kufirit në portet dhe infrastrukturën e Danubit.

Copëza të dronit u gjetën në zonën Plauru edhe në fillim të kësaj jave, pak kilometra larg copëzave të gjetura të shtunën, të cilat po analizohen.

Qëkur Rusia e nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, NATO-ja është përqendruar në parandalimin e përhapjes së luftës në territorin e saj.

Rusia i ka rritur sulmet në rajonet jugore të Ukrainës, Odesa dhe Mikolaiv, vendet e porteve dhe infrastrukturës jetësore për eksportimin e mallrave bujqësore pas dështimit të marrëveshjes që mundësonte eksportimin e drithërave përmes porteve të Detit të Zi. /REL


Top Channel

You may also like