GJERMANI – Nis greva më e gjatë në historinë e hekurudhave

by admin
Spread the love

BERLIN, 24 janar /ATSH-AA/ – Drejtuesit e trenave në Gjermani kanë filluar sot grevën e tyre më të gjatë ndonjëherë, në një mosmarrëveshje në rritje me operatorin ”Deutsche Bahn” mbi pagat dhe kushtet e punës.

Sindikata gjermane e drejtuesve të trenave (GDL) tha se aksioni i grevës në trenat e pasagjerëve filloi në orën 02:00 dhe do të vazhdojë deri të hënën në orën 18:00.

Operatori kombëtar hekurudhor tha se shërbimet hekurudhore në distanca të gjata, rajonale dhe periferike do të ndikohen masivisht për shkak të aksionit të grevës nga 23 janari deri më 29 janar.

Operatori këshilloi udhëtarët që të kontrollojnë linjat e tyre 24 orë para udhëtimit, ta shtyjnë udhëtimin nëse është e mundur dhe të përdorin biletën e tyre në një datë të mëvonshme.

”Deutsche Bahn” i bëri thirrje gjithashtu sindikatës që të kthehet në tryezën e bisedimeve.

”Tani është koha për t’u bashkuar, për të negociuar, për të gjetur kompromise. Ne jemi të gatshëm të takohemi në çdo kohë dhe në çdo vend për negociata dhe diskutime”, thonë nga ”Deutsche Bahn”.

Kjo është greva e katërt dhe më e gjatë nga sindikata që kur nisën raundet e negociatave kolektive me ”Deutsche Bahn”.

Sindikata po insiston për një rritje të pagës prej 555 euro në muaj si dhe një kompensim të njëhershëm prej 3 000 euro për shkak të inflacionit.

Sindikata kërkon gjithashtu uljen e orarit të punës për punëtorët me turne, nga 38 në 35 orë në javë dhe pa ulje page./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like