Garë “mbijetese” tek kuqezinjtë! Ndeshjet e radhës do të vendosin shumë se cili qëndron dhe kush jo

by admin
Spread the love

Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e dytë stërvitore këtë të martë në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore ndaj Kilit (22 mars, stadiumi “Ennio Tardini”, ora 20:45) dhe Suedisë (25 mars, stadiumi “Friends Arena”, ora 19:00).

Stërvitja nisi me punën në palestër e më pas trajneri Sylvinho së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe anën taktike.

Tashmë të gjithë lojtarët e grumbulluar janë në dispozicion të trajnerit I cili zhvillon nga dy seanca në ditë, e para, ajo e paradites larg syve të publikut dhe kamerave, ndërkohë e pasdites pjesërisht e lirë.

Këto ditë kanë shumë rëndësi për të qenë sa më gati për këto dy ndeshje që janë shumë të rëndësishme si për atmosferën dhe aspektin psikologjik ashtu edhe për garën që kanë mes tyre disa lojtarë në repartet ku aktivizohen, sidomos pjesa e avancuar e ekipit, si reparti I sulmit, ku për momentin ka shumë lojtarë dhe një pjesë nuk do të ketë mundësi të jetë në Europian, të paktën si futbollistë.

Këto dy ndeshje padyshim do të jenë ndikuese në listën përfundimtare prej 23 lojtarësh që do të shkojnë në Gjermani.

Ngarkesën e seancës stërvitore e kanë marrë të plotë të gjithë lojtarët, përveç Myrto Uzunit i cili ka kryer stërvitje të diferencuar në palestër për shkak të lodhjes muskulare.

Të enjten në mëngjes Kombëtarja do të niset drejt Italisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore në kuadër të ndeshjes me Kilin, që do të luhet në stadiumin “Ennio Tardini”, Parma më 22 mars, duke nisur nga ora 20:45.


Top Channel

You may also like