Frikë, goleada dhe dominim/ 10 etapat e Interit për të bërë historinë

by admin
Spread the love

Dhjetë nga dhjetë. Diçka që duket fantashkencë. Numra që më parë nuk janë parë kurrë në shtëpinë e Interit prej 100 vitesh. Duke llogaritur të gjitha kompeticionet, skuadra e Simone Inzagit e nisi vitin 2024 në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ka arritur vetëm fitore.

Nga sfida e parë kundër Veronës deri më 25 shkurt në Leçe, zikaltrit kanë shënuar vetëm shkronjën F (fitore) në tabelë. Në histori vështirë të kujtosh një ecuri të tillë, ndërsa kujtimi më i afërt është ai i Juventusit 2015-2016 me në krye Alegrin.

INTER-VERONA 2-1

Ta mendosh që ky rrugëtim mund të prishej që në start. Në 6 janar në “Xhuzepe Meaca” u prezantua Verona dhe i hapi shumë punë skuadrës së Inzagit. Në San Siro ndodhi gjithçka, me avantazhin e Lautaro Martinezit dhe barazimn e Tomas Henrisë. Në fund goli i fitores erdhi në minutën e 93-të dhe Henri humbi një 11-metërsh në sekondat e fundit të ndeshjes. Interi vinte nga një barazim me Xhenoan, por ia doli mes drithërimave.

MONZA-INTER 1-5

Për të treguar që shpëtoi mrekullisht në një ndeshje makthi, ja ku vjen një goleadë për të rikthyer qetësinë. Interi tregoi muskujt me dopietat e Çalnahoglusë dhe Lautaro Martinezit. Edhe Turam arriti të realizonte një gol për të zhvlerësuar penalltinë e shënuar nga Pezina.

INTER-LAZIO 3-0

Ndeshja e tretë për vitin 2024 është për Superkupën e Italisë në Arabi. Zikaltrit dominojnë totalisht gjysmëfinalen kundër Lacios për 90 minuta. Lautaro dhuron spektakël, Çalhanoglu shënon me penallti dhe Fratezi vulos triumfin 3-0. Një ndeshje që nuk ishte kurrë në diskutim. Interi pak nga pak po gjen formën optimale.

NAPOLI-INTER 0-1

Formati i ri i Superkupës italiane nuk i nxjerr dot jashtë garës dy mbajtësit e trofeve, Napolin dhe Interin. Kështu që është një sfidë me stilin e vjetër. Luajnë më mirë zikaltrit, por ndeshja nuk zhbllokohet deri sa Simeone largohet me karton të kuq. Napoli bllokohet dhe Interi gjen golin me Lautaro Martinezin. Për herë të parë në histori, Interi merr kupën për të tretin vit radhazi. Inzagi ndërkohë shkoi në 5 Superkupa.

FIORENTINA-INTER 0-1

Me rikthimin në Itali, Interi nuk heq dorë nga fitoret. Madje merr besim dhe karikohet më shumë. Ndeshja ndaj Fiorentinës nuk ishte aspak e lehtë. E vendos Lautaro Martinez, por Fiore shkoi shumë afër barazimit. Niko Gonzales humbet 11-metërsh dhe minutat e fundit skuadra e Inzagit vuan duke u mbrojtur. Në fund ia del të largohet me 3 pikët.

INTER-JUVENTUS 1-0

Derbi i Italisë është elektrizues dhe do të përcaktonte shumë për fatet e sezonit në Serinë A. Juventusi po kalonte një formë optimale dhe po merrte rezultatet. Tri pikët erdhën nga një autogol i Gatit, por Interi në fakt e dominoi ndeshjen dhe u tregua më i fortë sesa Juventusi. E goditi ekipin bardhezi në aspektin psikologjik.

ROMA-INTER 2-4

Nuk ka shumë kohë për të shijuar suksesin kundër Juves, sepse shumë shpejt është transferta në “Olimpiko” ndaj Romës. Gjithmonë problematike dhe me një Romë në shëndet të plotë pas 3 fitoreve radhazi me De Rosin. Pjesa e parë foli për “ulkonjat”, por në të dytën zikaltrit përmbysën gjithçka edhe falë telefonatës së famshme të Inzagit nga tribuna në dhomat e zhveshjes.

INTER-SALERNITANA 4-0

Ndeshja më e dominuar e këtij viti 2024 është pikërisht kjo ndaj Salernitanës (deri tani). Përpara sfidës me Atletikon duhej patjetër të merrej maksimumi. Trajneri nuk bën rrotacion dhe kërkon të vazhdojë rrugëtimin pozitiv në kampionat. Fiton 4-0.

INTER-ATLETIKO MADRID 1-0

Fitorja europiane erdhi me vuajtje, por edhe me dominim. Një ndeshje anormale që u kushtëzua edhe nga dëmtimi i Turam. Heroi i papritur u bë Marko Arnautoviç që shpërdoron shumë raste, por në fund ia doli të shënonte golin vendimtar. Inzagi arrin 15 fitore në Champions duke u bërë trajneri i tretë zikaltër pas Herrerës dhe Mançinit që kanë nga 20 dhe 19 suksese.

LEÇE-INTER 0-4

Fitorja e dhjetë radhazi në vitin 2024 erdhi në Leçe, pavarësisht rrotacionit që bëri trajneri Inzagi. Për një pjesë puljezët rezistuan, por vetëm kaq. Lautaro 2 herë, Fratezi dhe De Vraj arritën që të shënonin për të sjellë tjetër triumf.

PANORAMASPORT.AL

You may also like