FRANCË – Senati mbështet të drejtën e grave për abort në kushtetutë

by admin
Spread the love

TIRANË, 1 mars /ATSH/ – Dhoma e Lartë e parlamentit francez, Senati, ka votuar me shumicë dërrmuese për të përfshirë në kushtetutë të drejtën e grave për abort, sipas BBC.

Propozimi, i miratuar më herët nga Dhoma e Ulët, Asambleja Kombëtare, u mbështet të mërkurën me 267 vota pro dhe 50 kundër 50.

Aborti ka qenë i ligjshëm në Francë që nga viti 1974, por presioni është rritur për ta kthyer atë më tej në ligj.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thirrur një votim të veçantë të hënën, ku do të përfshihen të dyja Dhomat.

Nëse seanca e përbashkët miraton amendamentin kushtetues me shumicë votash, të paktën tre të pestat, nuk do të ketë nevojë për ta hedhur në referendum.

Një sondazh i opinionit i “Ifop” kryer në nëntor të vitit 2022, kur Asambleja Kombëtare po votonte për legjislacionin, sugjeroi se 86% e njerëzve e mbështetën ndryshimin.

Asnjë nga partitë kryesore politike të vendit nuk e vë në dyshim të drejtën e abortit, por gjuha e përdorur në amendament u rishikua pas votimit të vitit 2022, kur Asambleja Kombëtare miratoi “të drejtën” për abort.

Muajin e kaluar, Asambleja Kombëtare votoi sërish për të mbështetur “lirinë” për të kryer një abort pasi qeveria e Macron bëri thirrje që neni 34 i kushtetutës të amendohet për të përmendur “lirinë e grave për t’iu drejtuar një abort, e cila është e garantuar”.

Ky formulim i ri mbi “lirinë e garantuar” u miratua të mërkurën nga Senati.

“Unë jam i përkushtuar që liria e grave për të kryer një abort të jetë e pakthyeshme duke e përfshirë atë në Kushtetutë. Pas Asamblesë Kombëtare, Senati po ndërmerr një hap vendimtar, të cilin e mirëpres. Për votimin përfundimtar do të mbledh Parlamentin në Kongres më 4 mars”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron në një postim në Instagram.

Në një reagim ndaj votimit, ministri i Drejtësisë Éric Dupond-Moretti tha se vendi i tij ishte afër një “ditë historike” kur Franca bëhet vendi i parë në botë që mbron në kushtetutën e saj lirinë e grave për të vendosur për trupin e tyre. //a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like