Franca deporton drejt Tunizisë imamin që i quajti flamurin ‘satanik’ (fotot)

by admin
Spread the love

Në një aksion të shpejtë të policisë franceze predikuesi musliman Mahjoub Mahjoubi u ndalua teksa drekonte me familjen dhe u deportua drejt Tunizisë brenda tetë orësh, megjithëse kishte jetuar në Francë prej katër dekadash dhe kishte të drejta rezidence.

Rreth 15 policë me veshje civile dolën nga karvani i automjeteve për ta marrë atë në shtëpinë e tij në Avignon pranë rivierës franceze.

Urdhri lëshuar nga ministri i brendshëm Gerald Darmanin vinte në kuadër të një ligji të ri të emigracionit që lejon dëbimet e menjëhershme drejt vendit të origjinës.

“Vetëm për një fjalë, një fjalë e vogël”, përsëriste Mahjoub Mahjoubi duke u ankuar për veprimin e autoriteteve. “Është padrejtësi, vetëm për një fjalë më shkatërrojnë jetën dhe më ndajnë nga familja, më largojnë nga vendi ku kam jetuar 40 vjet”.

Zhvillimi vjen teksa një javë më parë në fjalimin e tij në xhami, Mahjoubi kishte përshkruar flamurin francez me një term që ‘shokoi’ shumë vendas.

Duke folur për 500 besimtarët në xhaminë e Bagnols-sur-Ceze në fjalimin e përjavshëm ai ofendoi flamurin francez duke e quajtur “simbol djallëzor që sjell përçarje mes muslimanëve”.

Ai kishte shtuar sipas autoriteteve se “kur bota të marrë fund atëherë nuk do të kemi këto flamurë tre-ngjyrësh si gangrena rreth nesh, pasi vlera e tyre e vetme është vlera satanike, në sytë e Allahut”.

Imami Mahjoubi tashmë insiston se kishte përdorur gabimisht fjalën “tre-ngjyrësh” pasi kishte dashur të përshkruante flamurë të ndryshëm të tifozëve afrikanë të futbollit që simbolizojnë bashkimin.

Por justifikimet e tij nuk bindën autoritetet dhe disa klerikë muslimanë francezë, teksa në fjalimet e tij janë përfshirë sipas tyre komente tensionuese ndaj komunitetit hebre dhe diskriminim ndaj grave.

Kësaj jave xhamia e madhe e Parisit dënoi fjalimin e ashpër 40-minutësh të imamit, duke thënë se “shkon kundër parimeve të bashkë-ekzistencës paqësore dhe respektit reciprok” që nxiten nga feja islame.

Zhvillimi vjen teksa vitin e kaluar Franca thotë se ka dëbuar nga vendi 44 persona të lidhur me profile radikale të fesë islame, në një rritje prej 26 përqind në krahasime vitin 2022.


Top Channel

You may also like