FOKUS – Zelensky: Nëse nuk na japin armë, do të tërhiqemi

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

UASHINGTON, 31 mars /ATSH-ANSA/ – Forcat e armatosura të Ukrainës kanë nevojë urgjente për më shumë armë amerikane, përfshirë raketa me rreze të gjatë, për të frenuar avancimin rus dhe për të ndaluar sulmet nga Krimeja, përndryshe ato do të detyrohen të tërhiqen, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një intervistë për ”Washington Post”.

Mesazhi i drejtohet presidentit amerikan, Joe Biden, por mbi të gjitha deputetëve republikanë të Kongresit, të cilët vazhdojnë të bllokojnë 60 miliardë ndihmat e reja ushtarake.

”Kemi humbur gjashtë muaj”, është ankesa e liderit ukrainas, i cili në një situatë me vështirësi objektive në frontin e konfliktit, vazhdon të zëvendësojë drejtuesit e sigurisë, ku i fundit ishte ai i kryekëshilltarit të tij.

Kërkesat e Zelensky ndaj Uashingtonit, si gjithmonë, janë të detajuara, por po marrin tone gjithnjë e më të dhimbshme ditë pas dite, deri në atë masë sa forcat ruse vazhdojnë të shfrytëzojnë maksimalisht epërsinë e tyre në njerëz dhe pajisje.

”Nëse ju duhen 8 000 goditje në ditë për të mbrojtur vijën e parë, por keni vetëm 2 000, duhet të bëni më pak”, shpjegoi presidenti ukrainas.

”Nëse nuk ka mbështetje të SHBA-së, do të thotë që nuk kemi mbrojtje ajrore me raketat ‘Patriot’, nuk kemi bllokues të luftës elektronike apo predha artilerie 155 milimetra”, shton ai.

Dhe më pas është çështja e vjetër e ”Atacms”, të cilën amerikanët hezitojnë ta ofrojnë nga frika se Kievi do t’i përdorë ato për të sulmuar territorin rus, duke nxitur një përshkallëzim.

Zelensky siguroi se raketat me rreze të gjatë do të përdoren për të goditur aeroportet në Krime dhe për të parandaluar sulmet e armikut të nisura nga gadishulli i pushtuar.

”Me armatimet e reja, ne mund të synojmë të mbajmë frontin të qëndrueshëm dhe të lejojmë Ukrainën të armatosë dhe stërvitë brigada të reja në prapavijë për të kryer një kundërofensivë të re deri në fund të vitit”, tha Zelensky.

Në javët e fundit Kievi e ka parë me shqetësim rifillimin e iniciativës nga rusët, të cilët pasi pushtuan Avdivkan, rifilluan ofensivën në juglindje dhe veri, plus bombardime masive të infrastrukturës energjetike në të gjithë vendin, ashtu si në dimrin e vitit të kaluar.

Ukrainasit, për të lehtësuar presionin, synuan rajone kufitare si Belgorodi, ku mijëra rusë u detyruan të evakuohen.

”Por, këto ishin, në thelb, operacione të kufizuara”, vuri në dukje Zelensky.

”Për të zmbrapsur rusët, na duhen më shumë armë, përndryshe do të tërhiqemi me hapa të vegjël”, paralajmëroi ai.

Udhëheqësi ukrainas është tani nën presionin e një konflikti rraskapitës dhe të pafund dhe spastrimi i vazhdueshëm brenda rrethit të tij është një sinjal i qartë në këtë drejtim.

Këtë herë kryekëshilltari, Serhii Shefir dhe dy zëvendësit e shefit të kabinetit Andriy Yermak humbën vendin e punës.

Vetëm pak ditë më parë, një nga njerëzit më të fuqishëm në Kiev, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes Oleksiy Danilov, u shkarkua.

Para kësaj, dhe me shumë më tepër zhurmë, kreu i forcave të armatosura Valery Zaluzhny.

Gjenerali, i cili nuk ishte më në linjë me narrativën e Zelenskit për një fitore totale brenda mundësive, kishte paguar për dështimin e kundërofensive kundër rusëve të nisur pranverën e kaluar, e cila duhet të kishte ndryshuar rrjedhën e konfliktit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like