FOKUS – WSJ: Moska po blen raketa balistike nga Irani

by admin
Spread the love

NJU JORK, 4 janar /ATSH-ANSA/ – Rusia po planifikon të blejë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga Irani, një hap që do të përmirësonte aftësinë e Moskës për të goditur
infrastrukturën e Ukrainës, thanë zyrtarët amerikanë për “The Wall Street Journal”.

Planet e Moskës kanë ngjallur shqetësim të thellë në administratën Biden.

Dorëzimi i raketave iraniane mund të ndodhë që në fillim të kësaj pranvere nëse blerja vazhdon, por zyrtarët nuk besojnë se marrëveshja është përfunduar.

“Ndërkohë, Moska ka filluar të marrë raketahedhëse dhe disa dhjetëra raketa nga Koreja e Veriut”, thanë zyrtarët.

Planet e Moskës vijnë pasi mbështetja në Kongresin e SHBA-së për ndihmën e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën po zbehet.

“Ligjvënësit nuk kanë miratuar ende një projektligj që do të siguronte fonde shtesë për Kievin”, tha WSJ.

Zyrtarët amerikanë thanë se dëshira e Moskës për të blerë raketa iraniane ishte tashmë e qartë, kur një delegacion rus vizitoi një zonë stërvitore iraniane për të vëzhguar raketat balistike dhe pajisjet përkatëse të shfaqura nga Forcat Hapësinore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, përfshirë raketën ”Ababil”, me rreze të shkurtër veprimi.

Vizita e delegacionit rus, që shënon një hap të mëtejshëm drejt blerjes së raketave iraniane, u pasua nga një udhëtim në shtator i ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu në Teheran.

“Gjatë asaj vizite, Shoigu vëzhgoi një demonstrim të sistemeve të raketave ‘Ababil”, thanë zyrtarët amerikanë.

Ndërkohë, Koreja e Veriut ka filluar të dërgojë një sërë armësh në Rusi gjatë javëve të fundit, duke përfshirë, për herë të parë, raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusinë lindore.

“Armët përfshijnë rezerva artilerie të raportuara më parë”, thanë zyrtarët.

Analistët ushtarakë thanë se blerja e raketave iraniane dhe koreano-veriore nga Moska mund t’i japë një shtysë të madhe Rusisë ndërsa ajo shton sulmet e saj dhe kërkon të mposht mbrojtjen raketore të Ukrainës.

“Rusia ka blerë tashmë një numër të madh dronësh nga Irani për të sulmuar Ukrainën. Moska dhe Teherani po ndërtojnë gjithashtu një fabrikë të re në Rusi që mund të prodhojë mijëra dronë për konfliktin”, thanë zyrtarët amerikanë./  /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like