FOKUS – Scholz: Debati për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Ukrainës është qesharak

by admin
Spread the love

BERLIN, 19 mars /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Olaf Scholz ka kritikuar ashpër debatin në javët e fundit rreth mbështetjes gjermane për Ukrainën dhe në veçanti dërgimin e raketave ”Taurus”.

”Debati në Gjermani është shumë qesharak”, tha sot kancelari në konferencën ”Evropa 2024” në Berlin.

”Kjo është e turpshme për ne si vend dhe kjo nuk kuptohet jashtë Gjermanisë”, tha Scholz.

Ai vuri në dukje se Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe e Ukrainës me armë.

”Kjo duhet të njihet fillimisht”, tha ai.

Scholz ka folur vazhdimisht kundër dorëzimit të raketave me rreze të gjatë veprimi ”Taurus” në Ukrainë, pavarësisht lutjeve nga Kievi, duke thënë se ajo ka potencialin për të përshkallëzuar konfliktin dhe për ta tërhequr Gjermaninë në luftë.

Kancelari është përballur me kritika të ashpra nga blloku opozitar konservator CDU/CSU, si dhe nga partnerët e tij të koalicionit, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP).

Debati ka më shumë se tre javë që vazhdon.

Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius paralajmëroi se debati për raketat ”Taurus” lë në hije nevojat thelbësore të mbrojtjes së Ukrainës.

”Municioni i mjaftueshëm i artilerisë, artileria e raketave me rreze më të gjatë dhe mbrojtja ajrore janë çështje me të vërtetë ekzistenciale”, tha ministri.

Sipas tij, uniteti i koalicionit qeverisës dhe i fraksioneve qeverisëse në mbështetjen e tyre për Ukrainën është i pathyer./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like